Çaste poetike me poetin;Odise PLAKU
Koha ime
———————————————-
Koha ime nuk është e njëjtë me kohën juaj,
as nuk dua ta kemi të ngjashme në jetë.
Se do jemi fotokopje, sado dhe me ngjyra
prapë do jetë pa shije, si e thartuara limonadë.
Koha ime është vetëm e imja dhe e ruaj
si thesar që ka vlerën e një galerie ari,
që ka edhe plot pluse, edhe shumë minuse.
Ama ka një zot, një pronar; shpirtin tim.
Koha ime nuk merr kuptim pa kohën tuaj,
se i vetëm do vdisja në qoshe të harresës,
apo me dorën zgjatur si lypsari i ngratë,
për një fjalë të mirë, për një “Si je, o mik?”
Koha ime kurrë nuk e bën pis kohën tuaj,
jam merakli ta ruaj të pastër, pa njolla.
Me cipën e dritës veshur edhe mes natës
nga koha ime jetën nuk frikem ta fal për ju.