Çaste poetike me poetin:Qerim BAJRAMI
Frymëmarrje
Me frymëmarrjen e motmotit
sikur ikin ditët
e nën akrepa bien orët e fundit
frymëmarrjet
palohen si mote të ndara
duke ua thënë lamtumirën njëra –tjetrës,
e bota, për katër stinë
është më e vjetër,
për katër stinë
një vit më e re!
Rreth vetes e diellit,
toka nis rrethin e ri,
këtë natë gdhendim
synimet e jetës sonë.
Pas i lëmë gjurmët
e rritës.
E, jeta lëviz
i ngjet njeriu, lumit …
Ne ecim drejt kohës
dhe secila rrugë
na shpie në një breg tjetër
të jetës
në një këngë,
në një dashuri…
Kjo është jeta!
EKSOD – DHEMBJE NËNE
Derisa çante ‘Akropolisi’
me rrëmbim e gulçim
errësirën e natës,
rrotat e mbytura
rënkonin
maleve të Bavarisë
prej Alpeve
deri në Karadak!
Dremitje, fërfërimë
Kaltërsia e qiellit
Në horizont
si prej ëndrre.
Dritëhija e diellit
duke hyrë në dhomë
feskuar faqeve të murit,
e era luan me degë
drurësh,
poshtë e lart.
Dielli
sa herë lindte,
sa herë ngrihej,
mbi Majën e Hisarit,
ledhatonte Gurin e Shqipes.
Buzë rrugës, në lumë laheshin,
në aromë lulesh, kopshti,
dielli, me erë dheu.
Njerëzit
akoma bredhin rrugëve
të Evropës së luksit
pa shpresë për jetë.
Shembje ëndrrash!
Turbullirë, alkool, kokainë.
Fati ynë,
“parajsë e premtuar”.
Eksod – dhembje nëne
fytyrë me hije të zbehtë
sypërlotura.
Retë lëvrijnë shpejt
Majave,
Alpe e Karadak!
METROPOLEVE
/Vëllait tim, Arifit, në Gjermani/
Sa e sa net metropoleve
poçet derdhin ngjyra blu.
Ai duke shëtitur, provon
ndjenjën e largim – afrimit
kah vendlindja…
Sa e sa herë
agu e gjen metropoleve
në rrugicën “Neu Gasse”
në hotelin “Park Caffe”
nën presionin e zhumhurit
duke pirë kafen e mallëngjimit.
Enterieri në “Park Caffe”:
Një pikturë
që shpërndan ngjyrën e kuqe
si pllohë gjaku!
Në derë abazhuri!
Ai, ulur në kolltukun e butë
vetë me buzëqeshjet efemere të të huajve!
Fjollat e tymit të cigares
lakadredhin,
zhdavaritin sfondin pa ajër.
Pas mesnate qielli i bruztë vdes!
Ngjyra e purpurt fiket!
Mall në kukëza
i kurbetit me zgjebe
në një askezë
që ec e s’ndalet.
E, pagjumësia
i sjell
vargjet e një kënge djepi
që nëna në vendlindje
ua këndon foshnjave.
/www.QendrePress.com/