Çaste poetike me poetin;Ragip GJOSHI
NJË KËNGË E KËPUTUR NË UDHËN E LIRISË
(Mësuesit tim poet Ymer Elshani dhe Masakrës së Poklekut)
1.
Një elegji për mësuesin tim poet,
Ua solla si metaforë e një melodie të këputur–
Një frymëzim i djegur në gji të poetit,
Një këngë e këputur në udhën e lirisë
Një këngë e përgjakur e djegur
Në mesprillin 1999 e pakënduar mbeti
Diellit tonë tentonin t’ia mbyllin dritaret…
Mësuesi,u rrit, poeti në djepin e atdheut,
Nga ninulat mësoi, tehesh të shtegëtoi
Në udhëtimin nëpër plagët e dajë Fazliut
U burrërua poeti duke kënduar nënë zë,
U rrit brenda Këngëve të maleve …
Derisa një gojë e hapur me dhëmbë të prishur
Edhe kur merr frymën e grahmët e fundit
E ndiqte në çdo hap poetin…
Këtë lis me sytha plot derisa e plandos përtokë,
Ofshau, pasi i goditur rrufeje u rrëzua,
I paepur bashkë me këngëtimin…
Plasi një vaj fëmije i plasaritur pa nëntekst,
Frymëmarrje e thellë e Drenicës shtangu,
U pre përgjysmë ëndërr e fundit të 23 zogjëve…
Në sytë e poetit kishin ngritur pritat,
Buzë lumit nën ballin e skuqur të poetit
Një fjalë e pathënë një këngë e rrallë;
Aty ku hapeshin udhët aty ku bashkohen buzët…
Aty ku nisi këngë e re mbi Drenicën time!
2.
54 lule shtrijnë rrënjët thellë në tokë
Pasi u dogjën –shkrumb u bënë…
Moti lotoi kuq mbi Poklekun e Vjetër,
Tek Pranvera provonte të shtyente ditët
E ,Ymeri mbrumte këngët me shpresë;
Duke ftuar brenda pragut të saj lirinë.
Dhe duke mallkuar rrufetë e atij moti…
Për një çast Drenica nuk mori frymë
Një zemër poeti pushoi me fjalë të lëmuara
Një këngë poeti u pre përgjysmë,
Një pemë, me shumë lule u pre…
Dita dhe dielli ishte vonuar atë ditë .
Disa gazeta,radio kohe e në TV raportuan
Për bubullimat dhe për pasojat …!
3.
Atë ditë edhe pas muzgut pikoi gjak
Nga shpirti i tokës shpërtheu këngë të reja-
N’fluturim brinjë më brinjë mes për mes Drenicës,
Ujqërit u turrën që nam e nishan të shuhet,
Duke nxjerrë përjashta dhëmbët e mprehtë…
Përtej maleve të shpresave tona,
Ushtarë njomzakë në vijën e parë të zjarrit,
Në betejën ,përtej bregut Pokleku digjej;
Luftëtarët dëgjuan elegjinë e këputur të poetit
Të mbarsuar me një dritë e një ylber udhërrëfyes…
Nëpër shtegun e ëndrrës. tonë nëpër mjegull,
Ishim nisur me një anije të shpresave,
Nëpër kurthet prej dallgëve të larta;
Tek ligjëronin zogjtë e maleve
54 ëndrra u këputen në ag të Pranverës
Monument i lirisë iu bënë poetit dhe 23 zogj…
23 emrat më të mirë të botës,
23 palë sytë me lotët më të kulluar.
23 dhimbjet më të mëdha të epokës
23 engjuj në Panteonin e buzëqeshjeve të vrara.
Hirin e këngës së asaj dite e shprusha
Për atë dhomën pa dritë, në errësirën e asaj dite
Për vargjet e copëtuara ,të prera e të djegura,
Për zërat e fëmijëve të bezdisur
Për Orën e Madhe të varur në Histori…
Për atë melankoli të kobshme,
Kur gjaku nëpër vena gumëzhinte si bletë!
Atë ditë kur u lëkund toka e u bë e kuqe,
E një këngë e re nisi mbi shkëmbinjtë e thepisur,
U ngrit,u kryengrit Elegjia për mësuesin poet
Për kohën e flakëve në vatrën e të parathënies …
4.
Mbi dimrin në shejtëni,
Mbi ato dallgët e motit që ndillte epokën e re,
Mbi qiellin me drita shprese
Të ndezura prej engjëjve të dritës
Ata që atë ditë e mbanin mbi shpinë lirinë,
Që kacavjerrej mbi ashtin e kurrizit të tyre
54 psherëtimë duke mallkuar dallgët a erëra…
Kam mall,për këngët e mësuesit poet,
Për Pranverën e 23 zogjve
Më zë malli,në portën e pritjes,
Agsholeve digjem për këto këngë;
Prekeni lëkurën e këngës time,
Dhe do të ndieni zjarrin që të ngroh…
5.
Gurin e dhimbjes së mesprillit të Poklekut
Si Sizifi plak ua solla në Sofrën poetike,
Të valë e më valë me aromën e asaj dite,
Si metaforë për kohëra të përgjakura…
Që heshtja të të mos mbetet gur i mallkuar,
Në qafën e elegjisë për mësuesin tim
Dhe në qafën e plagëve të këngëve të poetit-
Ymer Elshani bëhet më i forte se vdekja,
Kënga e tij kurrë mos të mbetet e gozhduar
As tash kur janë ulur valët e rrebesheve…
/www.QendraPress.com/