Çaste poetike me poetin;Rexhep Hoti

 Ikja si mundësi

——————————–

Përse e rrëzon shikim përtokë

E drita e syrit të rigon faj?!

Unë jam!

Po ai Rexha yt;

Në skaj të botës lind

Dielli im,

Për ty;

Vetëm buzëqeshja e ngrysur

Të mos qajë!

Më fal!

S’mund t’i besoj më Atdheut!

E ndjej sa është e rëndë kjo peshë trishtimi!

Shih si bie mbi trokun e tij

Ora e Hirtë!

Liria qelbet gjithandej pranë stomeve të plehut;

Rrugët e shkronjave janë ndryrë

Si murgjit në kullat e ngujimit,

Pabesisht,

Me sirt!

E marr vesh se s’më kupton!

Mos ma këput shpirtin me pikëllim!

Ikja nga Liria,

Nuk është vetëm filozofia e Fromit;

Ajo për shqiptarët është mision;

Dhe nuk është si largimi i Nolit kur e humbi Shqipërinë!

E dashur,

Është brezi i së ardhmes;

Shih, si shtrihet në sheshe?!`

Nëpër qendrat e BE-së si marshon!

Hipokrizi është e bukur te shqiptarët!

Tek ata edhe arti ndryshe merr frymë!

Prijësit e kombit dallkaukë,

Janë shpresa e republikave;

O Zot!

S’do ta besoja më parë kurrë!

E kush e ndan atdheun me ta!

Ndaj ikja në kulmin e botës

S’është për lot!

Atje burojnë vlerat

Si gurrat e Gjeravicës;

Atje i pret qytetërimi shqiptarët

Sot!

prill 2023