ÇATISI FLETËTHIRRJA NGA POLICIA!-Shkruan;Zade Kuqi

0

                                                     Në degët e manit që shihte gjithmonë shume tufa zogjësh, nuk dinte pse ata në një masë po mungonin dhe sa herë deri tash po mendonte për këtë gjë. Nëna kishte ngrehur dorën e po e thërriste, ndërsa e dëgjoi, ajo u fut në dhomë prapë. Dy kumri u palosën pranë njëra-tjetrës dhe dega e shelgut u lëshue duke prekuri lehtë puplat e tyre. Ditë më parë në shtëpinë e saj kishte mbërritur një ftesë nga sekretariati i punëve të brendshme i qarkut, përmes së cilës ajo ftohej të intervistohej. Në fletëthirrje qe shënuar koha, data e ora e paraqitjes së saj. Pas trokitjes se postierit mbi dyert prej dërrasash te vjetra, të dala boje dhe gjysmë të rrëzuara, në derën e shtëpisë u duk e ëma, një grua e thatë me një fytyrë të zbehur e duar të mbushura plot dej të nxjerrë jashtë, si të qenë thupra të prera për ndonjë thurimë gardhi. E ëma zbriti me kujdes të dy shkallët e betonit dhe, kur preku me këmbë tokën, u drejtua për te porta e oborrit që të mësonte se çfarë po kërkonte postieri, gjë që s’ia kishte idenë, përveç se po të kishte sjell ndonjë dënim për pagesë tatimi. Zakonisht atyre nuk iu shkruante kush!

Asaj nuk i kujtohej se kur kishte marr një letër nga kushdo qoftë! Ҫ’prej lufte e këtej, siç thoshte e ëma, kufijtë qenë mbyllur për të dy anët, andej e këtej dhe, as ajo, as të tjerët, tash e sa vjet nuk kishin mësuar ndonjë gjë për fatin e njëri- tjetrit. Gjyshërit e saj kishin vdekur, pa pasur mundësi të ktheheshin edhe një herë në katundin e tyre. E ëma, me raste, rrëfente për jetën e saj të kaluar në pjesën tjetër.

Këto kujtonte ajo, gjersa rrinte ulur para një tavoline.

Në datën dhe orën e shënuar u paraqit në numrin e zyrës që ishte vënë në thirrje. Ishte ftuar në një bisedë informative. Tash, pasi që kohë dukej se kishte mjaft, kujtonte atë ditë, kur postieri solli fletëthirrjen për paraqitje në bisedë informative, në njërën prej zyreve te sekretariatit të qarkut, e nuk i shqitej tronditja e së ëmës, kur postieri ia kërkoi që të nënshkruante pranimin e fletëthirrjes dhe kur mësoi se nuk ishte një dënim për mospagesën e tatimit, por se ishte një ftesë nga sigurimi. Me një zë krejt pa frymë, e thirri atë në emër që të vinte e të hidhte nënshkrimin që dëshmonte se fletëthirrja ishte pranuar nga pala e kërkuar.

Gjersa po ecnin oborrit, e ëma nuk i tha asgjë, por ajo e ndjente shqetësimin e madh të saj. As ajo nuk foli asgjë. Sa u futën në shtëpinë e zjarrit, e hodhi zarfin blu në parvazin e dritares, pa thënë prapë asnjë fjalë.

Nga shqetësimi i madh nuk e mbajti mend as datën e paraqitjes në njërën nga zyrat e sigurimit të qarkut. Veçse e dinte se duhet të ndodhte në njërën nga ditët e ardhshme, prej të nesërmes e tutje. Por cilado qoftë ajo ditë, ishte gati njëjtë për të. S’ kishte asnjë mundësi që të lëvizte nga asnjë anë! Dhe nuk i kujtohej sa orë, gati agonie, kishte kaluar deri në ditën kur u nis të paraqitej në zyrën e kërkuar nga fletëthirrja.

Ishte mëngjes kur u nisë me transportin e orëve të mëngjesit. E ëma, ajo grua e thatë me atë fytyrë të zverdhur nga sëmundja e pesha shtypëse e kohëve të liga, e pyeti nëse mund ta shoqëronte. Ajo vetëm bëri një gjest mohues me kokë dhe me domethënie, “a pak je grirë deri tashti ti?!”. Kishte humbur edhe dëshirën për të folë çfarëdo qoftë! Kishte një lloj frike, gati të pashpjegueshme për faktin se përse ishte ftuar në një bisedë informative?

Rikujtonte pikat më kulmore, si qe sjellur në ca kohët e fundit, kudo ku ka mundur të ishte e pranishme. Nuk i kujtohej se kishte shprehur në publik ndonjë refleks të ngarkuar idejshmërisht ose se mos në ndonjë formë kishte reaguar me thellësi. Kishte plot njerëz nga katundi i saj, të cilët, herë pas herë qenë ftuar në biseda të tilla dhe kishin përfunduar pa informata të sakta për vendndodhjen e tyre të mëtutjeshme!

E ëma edhe njëherë e kishte pytur nësë donte t’i gatiste ndonjë gjë për rrugë dhe ajo i qe përgjegjur duke i thënë se nuk beson se ka nevojë, pasi që mund të kthehej shpejt, në mos do të kthehej të njëjten ditë, atëherë kjo do bëhej të nesërmen, ndërsa thellë në vete seç kishte një parandjenjë të çuditshme se edhe mund të mos kthehej më! “Mos e bëjë Zot, të ngjasë kjo”, pëshpëriti ajo me vete, pas fjalëve që pati me t’ëmën.

Këto kujtonte, ndërsa rrinte ulur, aty n’atë dhomë të ndriçueme nga një llampë që derdhte dritë drithëruese mbi siperfaqën e tavolinës, pas së cilës ajo rrinte sulur. Dhoma qe pa dritare dhe dera ishte e mbështjellë me lekurë të kaftë, të errët dhe sfungjer dhe me një sërë pullash që krijonin një formë gjeometrike. Ajo e kuptoi se çfarëdo që mund të ndodhte aty, jashtë atyre mureve nuk dëgjohej asgjë.

Ndërtesa e sekretariatitit kishte një arkitekturë të çuditshme. Nuk e definoje dot, në shikim të parë, sa kate ishte saktësisht. Mund të ishte një kat e gjysmë, dy e gjysmë, por jo, as dy, as tre kate. Ajo ndërtesë ishte enigma e të zhdukurve, futeshe aty, pastaj nga të shpinin e si të përdridhnin koridoreve e kthinave me porta ngado, këtë nuk e dinte askush.

Ajo u paraqit te roja në hyrje, duke dorëzuar fletëthirrjen. Burri që qendronte një një zyrë shumë të ngushtë, i tha të priste pak. Në ndërkohë bëri një telefonatë dhe nuk vonoj e një burrë tjetër bëri figurë para saj, sikur ta dinte saktësisht cila ishte ajo.

– Më ndiqni,- i foli shkurt dhe thatë burri që u drejtua nga një palë shkallë druri.

Nga brenda, ndërtesa dukej e vjetër, mbushur plot hapësira që venin e vinin, plot enigmë, kërcënim, atmosferë të huaj, pastaj figura pa lëngë të gjallë që iknin e kthenin, si të kurdisur me çelës…

Ajo e ndoqi inspektorin, pa bërë zë. Në katin e dytë koridori ishte i ndriçuar dobët dhe ajo vetëm po priste se në cilën pas atyre dyerve që mezi dalloheshin që ishin dyer, do ta fusnin ate?

Burri para saj sakaq u ndal dhe shtyu njëren prej atyre dyerve ngjyrë të ërrët kafeje, mbështjellur me lëkurë dhe sfungjer me qëllim që klithma t’mos depërtonte jashte. “Ndërtime speciale, egërsia dhe ftohtësia, pa një pikë jetë e tyre, shihej edhe në gjithë detalet…”

Me të njëjtin zë pa kurrfarë ngjyre, me të cilin i foli herën e parë, i foli edhe këtë herë. Ajo dëgjoi t’i thoshte: “Futu këtu dhe prit gjersa të vijë dikush t’ju marr në pyetje?”

Dhe ajo hodhi ngadalë njërën këmbë, ndërsa tjetra s’dëshironte ti bindej. Po shikonte e mendonte… Muret i bëheshin si orë që numrat lëviznin së hapuri nofullat, ndërsa nuk dukeshin dhëmbët, por dilnin nga ato nofulla akrepa të shumtë të vegjël, të mëdhenj, mesatarë. Pastaj dyshemeje çirrej pa zë. Këmbët e të pranishmëve dilnin nga këpucët, këpucët iknin, kurse kishte rast që veshët e sytë e të pranishmëve iknin nga fytyra e tyre dhe ata mbesnin forma të çoroditura. I bëhej ndërtesa po lëvizte dhe po ikte pas fushash, pas kodrash, ndërsa portat, dritaret po zhdukeshin. Por figura e dashur e nënës po shfaqej duke ardhur nga ana e kundërt e tyre./www.qendrapress.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *