Çfarë thotë prokurori i rastit të vetëvrasjes së 20 vjeçares nga Gllogjani për arrestimet e mbrëmshme
Pas një viti e gjysmë, mbrëmë është rikthyer në media rasti i vetëvrasjes së studentes që vijonte mësimin në drejtimin e juridikut në Univerisitetin e Pejës. Informacione jozyrtare qarkullojnë në media se tre të arrestuarit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan që ndodhi më 26 nëntor të këtij viti janë familjarë të 20-vjeçarjes Heroina Mehmetaj po nga ky fshat. Prokurori i rastit së studentes, Haxhi Sinanaj, në një bisedë telefonike për Gazetën Express la të nënkuptohet se rasti i saj ka lidhshmëri me ngjarjen e ndodhur në Gllogjan ku autobusi i linjes Gjakovë-Gllogjan ishte sulmuar me kallashnikov.Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, mbrëmë vetëm ka konfirmuar arrestimin e tre personave, por nuk ua ka dhënë mundësinë gazetarëve që të pyesin mbi dyshimet për motivin e vrasjes së shoferit të autobusit Gani Gjokaj dhe dy nxënësve Ledion Hamzaj dhe Genta Mustafaj, duke thënë se “për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të marrin pyetje”.Njësoj ka vepruar edhe prokurori i rastit të vetëvrasjes së 20-vjeçares, Haxhi Sinanaj edhe përkundër insistimit për të ditur nëse atëkohë ishte intervistuar shoferi tashmë i ndjerë apo ndonjë tjetër person për fundin tragjik të studentes.Megjithatë prokurori la të nënkuptohet se rasti i studentës ka lidhshmëri me ngjarjen e ndodhur në Gllogjan ku autobusi i linjes Gjakovë-Gllogjan u sulmua me kallashnikov. Haxhi Sinanaj në pyetjet për rastin e atëhershëm tha se nuk mund të jap informacione pasi “mund të prishet edhe hetimi penal për rastin e fundit që ka ndodh”.“Shikoni për rastin e atëherit nuk mundem me u prononcu për çdo gjë mundeni nesër me thirr zëdhënësin dhe ai ju njofton për të gjitha detajet. Të lutem asnjë informatë nuk mundem, është rasti i tillë, për momentin nuk mund të jap informacione më të detajuara meqenëse mund të prishet edhe hetimi penal për rastin e fundit që ka ndodh. Unë të thash nuk mundem me jap informacione më të detajuara”, tha Sinanaj.Më 14 qershor të vitit 2020 ishte konfirmuar se studentja i kishte dhënë fund jetës së saj me litar, por motivet e kësaj vdekje sot e asaj dite kanë qenë të panjohura për publikun.Për vetëvrasjen e studentes që u tha se kishte notën mesatare mbi 9-të ishte shpehur i tronditur atë kohë kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj.“I tronditur nga lajmi për vdekjen e Heroina Mehmetaj nga fshati Gllogjan. Me shpresën që qytetit tonë të mos i ndodhin më vdekje të tilla, nga zemra ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Mehmetaj, zoti ua lehtësoftë dhimbjen”, kishte shkruar Ramosaj në vitin 2020. Kryeprokurori i Pejës Agim Kurmehaj konfirmoi shkurtë mbrëmë arrestimin e tre personave të dyshuar, të cilët tashmë ndodhen në ndalim policor për 48 orë.“Pas ndodhjes së rastit kemi filluar hetimet intensive me ndihmën e Prokurorisë së Shtetit. Pas punës intensive janë arrestuar tre persona me dyshimin se kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Prokuroria i ka ndaluar për 48 orë”, u shpreh Kurmehaj.Për gjithë këtë situatë Gazeta Express ka tentuar të marrë një prononcim nga prokurorja e rastit të vrasjes së shoferit të autobusit dhe dy nxënësve, Sahide Gashi, por e njëjta nuk i është përgjigjur telefonatave, as mbrëmë e as sot.
Rasti i arrestimit të tre të dyshuarve nuk është përfshirë në raportin e sotëm të Policisë së Kosovës, siç ndodh rëndom dhe deri më tani nuk ka informacione zyrtare nëse tek të dyshuarit është gjetur arma që dyshohet se është përdorur në tragjedinë e 26 nëntorit apo ndonjë tjetër gjë e dyshuar.Derisa organet e rendit nisën hetimet, Qeveria e Kosovës kishte ofruar 20 mijë euro për këdo që ofron informacione që çojnë në arrestimin e personit apo personave që i dolën përpara autobusit me nxënës duke zbrazur pothuajse një karikator plumba drejt tyre.