Cili shqiptar nuk e ka harruar tashmë, tragjedinë shqiptare të Toplicës?! –Shkruan;Prof.Dr.Milazim Krasniqi
Kujt i shkon mendja sot që të thotë se ajo ka qenë tokë shqiptare, se kundër banorëve të asaj krahine shqiptare është bërë një gjenocid dhe një spastrim etnik i plotë?! Sa veta i kanë lexuar veprat e Sabit Ukës, për vendbanimet shqiptare në Serbinë e sotme dhe për fatet tragjike të muhagjirëve të dëbuar nga ato vise? A i ka rënë ndokujt të lexojë ndonjë vepër letrare për tragjedinë e Toplicës, për masakrën kundër Kastratit?!
Ne mund të bëjmë pyetje sa të duam, por përgjigjet në to dihen dhe janë kryesisht negative. Ka një fshirje të kujtesës, një amnezi të tmerrshme. Ndoshta pa këtë amnezi tonën të tmerrshme, nuk do të përsëritej kasaphana serbe kundër nesh, gati një shekull e gjysmë pas asaj të Toplicës dhe të viseve të tjera që tashmë nuk ua dimë as emrat.
Masariku në një rast ka thënë: “ Kombet që hynë vonë në skenën e jetës së tyre të pavarur, nuk e meritojnë fatin e tyre në qoftëse nuk mund të përfitojnë nga eksperienca e gjatë e popujve të tjerë”. Nëse e përkthejmë në rastin tonë këtë mendim gjenial, atëherë e kuptojmë se ne urgjentisht duhet të mësojmë nga përvojat e kombeve të tjera, edhe në rastin e vlerësimit dhe të përjetësimit të tragjedisë së spastrimit etnik, e edhe të kampit të Bllacës. Mjafton të shihet se si e kanë shndërruar hebrenjtë holokaustin në një vlerë supreme të kombit të tyre dhe madje në një mekanizëm mbrojtës, më efikasin kundër çfarëdo dukurie të antisemitizmit.
Përderi sa serbët me shekuj gënjejnë se u ka ndodhur “velika seoba srba” (“shpërngulja e madhe serbe”), pa u ndodhur fare dhe e kanë shndërruar në argument politik për pretendimet e tyre mbi Kosovën, ne nuk kemi pse të sajojmë mitologji. Ne na ka ndodhur vërtet shpërngulja totale, na ka ndodhur gjenocidi dhe spastrimi etnik. Por, ne nuk po dimë ta shndërrojmë në vlerë, e aq më pak në mekanizëm mbrojtës për të ardhmen.
2001/qendrapress.com/