Çka do të bëjë Vetëvendosje nëse Albin Kurtit s’i lejohet kandidimi për deputet? – Flet Albulena Haxhiu
Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se në rast se Këshilli Qëndror i Zgjedhjeve nuk e pranon kandidaturën e kryetarit të kësaj partie, Albin Kurtit, do të ndërmarrin rrugë ligjore. Haxhiu, e ftuar në ‘dPt te Fidani’, e ka komentuar aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, teksa ka thënë se mund të ishte më e qartë.
Ndër të tjera, ajo ka thënë edhe se, në rast të mos-aprovimit të kandidaturës së Kurtit, ata do të adresohen tek Paneli Zgjedhor për Parashtresa dhe Ankesa (PZAP), si dhe Gjykatë Supreme.
“Ajo çka dihet tashmë është që Albin Kurti do t’i prijë listës së VV’së, do të jetë kandidat për deputet dhe për kryeministër. KQZ udhëhiqet nga Valdete Daka. Znjë Valdete Daka është edhe gjyqtare e Gjykatës Supreme. Ajo e di më së miri se çfarëdo tentimi të bëjnë partitë e tjera është e qëllimshme për ta dëmtuar Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Tendencat e këtilla nuk duhet t’i marrë për bazë askush. Në rast të pengesave, do t’i ndjekim rrugët ligjore”, ka deklaruar ajo.