Çka është Rendi i Ri Botëror?/Shkruan:-Ruzhdi GASHI,avokat

Çdo ditë e më shumë po flitet për një Rend të Ri Botëror, të cilin shumëkush po e lidh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe veçanërisht me rikthimin e politikës “America First” nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump. Flitet shumë, shpesh pa qartësi, se çfarë është ky rend, kush e ndërton dhe si do të duket ai. Duke u nisur nga ajo që po shohim në zhvillimet globale dhe nga analiza e rrethanave historike, politike dhe gjeostrategjike, po jap edhe unë mendimin tim mbi këtë çështje.
Pas Luftës së Dytë Botërore, forcat antifashiste, si fituese të luftës, të udhëhequra nga SHBA me aleatët e saj – Britaninë e Madhe, Francën, Bashkimin Sovjetik (Rusi) dhe Kinën – krijuan një rend të ri ndërkombëtar. Liga e Kombeve, si mekanizëm i dështuar i periudhës ndërmjet dy luftërave botërore, u riformatua në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
OKB-ja u ndërtua mbi dy shtylla kryesore:
• Asamblenë e Përgjithshme, ku përfaqësohen shtetet, dhe
• Këshillin e Sigurimit, si organ vendimmarrës për paqen dhe sigurinë globale.
Këshilli i Sigurimit u përbë nga 15 anëtarë, prej të cilëve 5 të përhershëm – SHBA, Rusia, Britania e Madhe, Franca dhe Kina – me të drejtë vetoje dhe me epërsi ushtarake, përfshirë armët bërthamore. Ky mekanizëm, me gjithë mangësitë e veta, arriti për dekada të mbajë njëfarë ekuilibri dhe rendi në botë.
Megjithatë, zhvillimet teknologjike, ekonomike dhe ushtarake e bënë këtë model gjithnjë e më të brishtë. Liberalizimi i tregut dhe më pas globalizimi, i nxitur kryesisht nga SHBA dhe Evropa, hapi dyert për integrimin ekonomik të Kinës dhe Rusisë në sistemin perëndimor. Ky proces, i menduar si mjet demokratizimi, u shfrytëzua nga regjimet autoritare për të forcuar pozitat e tyre.
Kina dhe Rusia, si shtete me sisteme jodemokratike, përdorën korrupsionin, ndikimin ekonomik, teknologjinë, rrjetet sociale dhe ndërhyrjet hibride për të avancuar interesat e tyre në dëm të vendeve euroatlantike dhe veçanërisht të SHBA-së. Evropa, e cila historikisht u shpëtua nga SHBA nga nazifashizmi dhe komunizmi sovjetik, në dekadat e fundit filloi të ndjekë politika që shpesh dobësonin aleancën transatlantike, duke flirtuar me Rusinë, Kinën dhe vende të tjera autoritare.
Në këtë kontekst, kapitali amerikan dhe evropian u zhvendos masivisht në Kinë, Rusi dhe Azi, duke dobësuar bazën industriale dhe strategjike të vet Perëndimit. Evropa, në vend se të forcohej, u bë më e varur dhe humbi ndikimin e saj global, veçanërisht në Evropën Lindore, Ballkan, Afrikë dhe Amerikën Latine. Kjo krijoi hapësirë për depërtimin e Rusisë, Kinës, Iranit dhe fuqive të tjera që shpesh kanë qëndrime armiqësore ndaj SHBA-së.
Pikërisht këtu shfaqet politika e MAGA – Make America Great Again, si reagim ndaj këtij rreziku strategjik. Presidenti Trump e identifikoi qartë se globalizimi i pakontrolluar po e dobësonte Amerikën dhe aleatët e saj. Prandaj, SHBA filloi të riformulojë strategjinë e saj globale për të ndalur hovin ruso-kinez.
SHBA tashmë kishte ndalur zgjerimin ruso-kinez në Ballkanin Perëndimor përmes ndërhyrjes në Kosovë në vitin 1999 dhe përmes zgjerimit të NATO-s me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Hapi i radhës ishte Ukraina, si dhe përforcimi i ndikimit amerikan në zona strategjike si Grenlanda, Amerika Latine (Venezuela, Panama, Kuba), Lindja e Mesme (Irani) dhe rajone të tjera kyçe në Afrikë dhe Azi.
Qëllimi është i qartë: të frenohet Kina dhe Rusia si rivalët kryesorë strategjikë të SHBA-së në dekadat e ardhshme. Realizimi i këtij projekti do të krijojë rrethana të reja faktike për ndërtimin e një Rendi të Ri Botëror.
Në këtë rend të ri, aleatët tradicionalë evropianë – Britania e Madhe dhe Franca – nuk mund të veprojnë më të shpërndarë dhe me vendimmarrje të ngadalshme. Ata duhet të jenë të bashkuar dhe të sinkronizuar nën udhëheqjen strategjike të SHBA-së, sepse përballë regjimeve autoritare që marrin vendime shpejt dhe pa kontroll demokratik, koha është faktor vendimtar.
Sipas kësaj logjike, SHBA do të shtyjë drejt një riformatimi të OKB-së, ku pesha reale e vendimmarrjes globale do të përqendrohet te tri fuqitë kryesore: SHBA, Kina dhe Rusia. Ky konfigurim ose do të imponojë një balancë të re të kontrolluar, ose – në rast refuzimi nga Kina dhe Rusia – SHBA do të vazhdojë përpjekjet për vendosjen e një rendi demokratik global, me respektim të të drejtave të njeriut dhe kombeve.
Në këtë kontekst gjeopolitik, shqiptarët në përgjithësi dhe Kosova në veçanti kanë interes jetik dhe historik të jenë në anën e SHBA-së. Ky rend i ri botëror i udhëhequr nga Amerika krijon hapësirë për afirmimin tonë kombëtar, për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe për realizimin gradual të të drejtave tona historike në trojet shqiptare, në hapësirën mesdhetare dhe euroatlantike, në katërkëndëshin Tiranë–Athinë–Stamboll–Romë.
Koha punon për ne– me SHBA-në në krye.
Me 8 janar 2026
Av. Ruzhdi Gashi
K o s o v ë/QendraPress/