Çmimet e prodhimeve bujqësore janë rritur për 8.86%
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar indeksin e çmimeve të prodhimeve dhe çmimet në bujqësi për tremujorin e tretë të këtij viti, ku vlerësohet se indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rënie për -2.75%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 16.99%.Sipas ASK-së, ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.“Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve.Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë. Në tremujorin e tretë (TM3) të vitit 2021, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rënie për (-2.75%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 16.99%. Ndërkaq, indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 8.86%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020”, thuhet në një komunikatë të ASK-së