Daialogu Kosovë-Serbi, nesër nis ofensiva e diplomatëve amerikanë e evropianë për t’i çuar palët drejt marrëveshjes

                    Diplomatët evropianë e amerikanë, gjatë muajit janar, pritet të zbarkojnë shpesh në këtë rajon. Departamenti Amerikan i Shtetit dhe qeveria e Francës dhe ajo e Gjermanisë, do të dërgojnë përfaqësues të lartë në dy vendet e Ballkanit Perëndimor.Ofensiva diplomatike e perëndimit do të nisë me këshilltarin e Departamentit të Shtetit, Derek Chollet,  i cili do të qëndrojë në Kosovë dhe rajon më 11 janar, shkruan Reporteri.net. Më 11 janar, këshilltari Chollet fillimisht do të udhëtojë në Shkup, ndërsa po këtë ditë, ai do të vazhdojë rrugën për në Kosovë, ku thuhet se do të takojë krerët shtetërorë me qëllim të diskutimit të përpjekjeve amerikane për të arritur njohjen reciproke Kosovë-Serbi.“Këshilltari Chollet do të vazhdojë në Prishtinë, Kosovë, për t’u takuar me zyrtarë qeveritarë, liderë të tjerë politikë dhe shoqërinë civile për të diskutuar përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar në avancimin e integrimit të Kosovës dhe euroatlantik, duke përfshirë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen reciproke”, thuhet në njoftimin zyrtar.Chollet javën e kaluar tha se po vjen në Ballkanin Perëndimor në një moment shumë të rëndësishëm për rajonin duke përmendur këtu në veçanti, tensionet në Kosovë.Zyrtari i lartë amerikan e bëri të qartë se tashmë kanë shpenzuar shumë energji, e siç tha ai “madje më tepër se që duhej” për të penguar përshkallëzimin e situatës, dhe paralajmëroi se tani është momenti për vendime të vështira për të dyja vendet.“Sërish, duam që të dyja palët të bisedojnë. Janë bërë disa javë tashmë që dy palët kanë patur mundësinë të takohen së bashku dhe ne jemi atje të pranishëm, duke punuar së bashku me kolegët tanë të BE-së në përpjekje për ta lehtësuar këtë. Mendojmë se është e rëndësishme që palët të bisedojnë për thelbin e propozimit të BE-së dhe jo të ndërmarrin masa vetëm për të përshkallëzuar apo potencialisht për të shkaktuar një krizë. Pra ka shumë gjëra për të biseduar. Kemi shumë punë për të bërë. Por, e shohim drejtimin përpara dhe do të bëjmë çfarë të mundemi për t’u siguruar që Kosova dhe Serbia të lëvizin në atë drejtim”, tha Chollet për Zërin e Amerikës. Ai e bëri të qartë se do të kërkojë themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, për të cilin Chollet e përsëriti se është prioritet për SHBA-në.“Është një prioritet për ne, Shtetet e Bashkuara. Kemi qenë shumë të qartë për këtë. Besojmë se është një angazhim që është ndërmarrë dhe që duhet të ngrihet. Është qartësisht një hap kyç. Por ka shumë çështje të tjera. Të dyja palët këtu kanë detyrime. Të dyja palët kanë gjëra për të cilat ne do të donim t’i shihnim që të lëviznin përpara. Prandaj duhet t’i bëjmë këto biseda sa më herët”, tha ai.Duke folur për propozimin franko-gjerman, Chollet tha se baza e tij do të jetë njohja e ndërsjellë.“Nuk dua të merrem me detajet e asaj çfarë ka propozuar BE-ja. Mendoj se ndonjëherë, në çfarëdolloj negociatash, është më mirë që këto detaje të lihen pas dyerve të mbyllura, deri në momentin kur të jenë gati. Por, mendojmë se BE-ja ka parashtruar një drejtim të arritshëm, një drejtim të mirë. Sërish, do të jetë e vështirë. Do të dojë shumë punë. Do të dojë vendime të vështira dhe kurajo nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre. Dhe të dy udhëheqësit, në Kosovë dhe Serbi, kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë në rrugën drejt integrimit më të madh në komunitetin euroatlantik. Ne e mbështesim së tepërmi këtë dëshirë. Duam t’i shohim që të ndërmarrin hapa për ta arritur këtë objektiv dhe duam të bëjmë çfarë të mundemi që t’i ndihmojmë ta realizojnë këtë”, tha ai.

 “Janari intensiv”, do të rrjedhë me vizita në Kosovë të të gjithë emisarëve, në mënyrë së dialogu të marrë një hov të ri.Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar  se gjatë këtij muaji pritet intensifikim në procesin e dialogut me Serbinë.Për dialogun tashmë të mbetur pezull, nota optimiste nuk ka shfaqur kohëve të fundit ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak.Për Lajçak niveli i mosbesimit mes palëve nuk ka qenë kurrë më i lartë se kaq pas zhvillimeve në veri të vendit, me barrikadat që mbajtën të bllokuar këtë pjesë për tri javë me radhë.Lajçak këmbëngul nëse një marrëveshje nuk arrihet më së largu deri më 2024, do të duhen të kthehen nga e para në këtë proces.“Tani për tani kemi një strukturë shumë të favorshme, kemi vëmendjen e menaxhmentit të lartë në SHBA dhe Bashkimin Evropian dhe kemi një shembull të bashkëpunimit BE-SHBA, kështu që kjo është një mundësi reale, diku deri në dhjetor 2023 ose në fillim të 2024. Nëse gjërat nuk bëhen deri atëherë, ne do të duhet të fillojmë nga e para. Nëse i kthehemi krizës dhe konflikteve, atëherë mund të harrojmë afatet”, theksoi Lajçak javën e kaluar.Optimist nuk u shpreh as ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili tha se ndonëse qëllimi përfundimtar ishte njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë, kjo tani nuk është e mundur.“përderisa qëllimi përfundimtar ishte njohja reciproke e Kosovës dhe Serbisë, ‘e cila për fat të keq tani nuk është e mundur, sfidat e sotme ende mund të tejkalohen’, u citua të ketë thënë Hovenier për gazetarin Tim Judah.Kujtojmë se ciklin e emisarëve perëndimorë në Kosovë, javën e kaluar e ka nisur emisari britanik Stuart Peach, i cili pati takime me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Kurti.Britaniku kërkoi që palët të të ndalin ciklin e krizave dhe të retorikës së rrezikshme, dhe të punojnë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit”. /Reporteri.net/