Daka: BE e vërtetoi që shkarkimi im ishte i kundërligjshëm dhe kundërkushtetues
Komisioni Evropian e ka publikuar sot raportin e progresit për Kosovën. Ndër të tjera, në këtë raport është përmendur edhe vendimi i presidentes, Vjosa Osmani, për shkarkimin e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakës, shkruan Gazeta Sinjali.
Komisioni Evropian ka vlerësuar se shkarkimi i Dakës nuk është i mbështetur në mënyrë të duhur as me arsyetimin e këtij vendimi, e as në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
“Vendimi i Presidentes së Kosovës për të shkarkuar ish-kryesuesen e KQZ-së së Valdete Daka, është marrë më 14 qershor katër vjet para skadimit të mandatit të saj të dytë dhe vetëm një ditë para shpalljes së zgjedhjeve lokale nuk mund të mbështetej në mënyrë adekuate as me arsyetimin e vendimit as nga bazat e shënuara të Ligjit për Zgjedhje te Përgjithshme”, thuhet në raportin e vëzhguesve të Bashkimit Evropian.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Daka tha se ky është një lajm i mirë pasi që, sipas saj, BE e ka vërtetuar atë që ajo vetë kishte thënë kur u shkarkua nga pozita e të parës së KQZ-së.
Ish-kryetarja e KQZ-së tha se me këtë raport është vërtetuar që Osmani ka bërë keqpërdorim kur mori vendimin për shkarkimin e saj.
“Po, për mu është lajm i mirë sepse Bashkimi Evropian i ka vërtetu ato që i kam thënë unë, se shkarkimi im ka qenë edhe i kundërligjshëm edhe kundërkushtetues. Do të thotë, edhe Bashkimi Evropian e ka thënë të njëjtën gjë që e kam thënë unë. Aq më tepër është vërtetuar që është bërë keqpërdorim nga ana e të parës së shtetit, me vetë faktin që në mënyrë të kundërligjshme më ka shkarku. Pra, për mu është satisfaksion moral”, tha ajo për Sinjalin.
Daka tha se së shpejti do të njoftoj se çfarë masa ka ndërmarrë në kundërshtim të këtij vendimi.Valdete Daka u shkarkua nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më 14 qershor të këtij viti, një ditë para shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale dhe katër vjet para përfundimit të mandatit të saj të dytë./Gazeta Sinjali/