Deklaratatë alarmiste, në kundërshtim me realitetin strategjik dhe aleancat ndërkombëtare të Kosovës-Shkruan;Gjeneral Hisen BERISHA

Deklarimet e fundit të Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, z. Ejup Maqedonci, sipas të cilit “kërcënimet janë reale dhe se Beogradi zyrtar ka vendosur 70% të ushtrisë në kufirin tonë”, përbëjnë një shqetësim më shumë në aspektin e komunikimit strategjik sesa të sigurisë kombëtare.
Të sugjerosh në mënyrë publike se Serbia është në prag të një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj Kosovës, në një kohë kur në vend po zhvillohet një nga ushtrimet më të mëdha ushtarake shumëkombëshe në Evropë — Defender Europe 25, me mbi 20 mijë trupa të NATO-s dhe partnerëve të saj — është jo vetëm një deklaratë e pabazuar, por edhe një mesazh që cënon besimin ndaj vetë kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës dhe ndaj aleatëve strategjikë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe NATO.
Pretendimi se Serbia do të ndërmarrë një agresion të drejtpërdrejtë ndaj Kosovës është po aq absurd sa edhe mbledhja urgjente e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, pikërisht në kohën kur nisi ushtrimi shumëkombësh Defender Europe 2025. Ky paralelizëm tregon më tepër për llogari të brendshme politike se për një analizë reale të situatës në terren.
Kjo nuk përjashton faktin se Serbia, në mënyrë të vazhdueshme, nuk e ka fshehur kurrë ambicien për të aneksuar Kosovën në rastin e parë që do t’i ofrohej një vakuum ndërkombëtar apo një moment dobësie në rajon.
Prandaj, krahas zhvillimit të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është jetike që Republika e Kosovës të angazhohet për ndërtimin e aleancave të qëndrueshme mbrojtëse dhe nënshkrimin e traktateve bilaterale të sigurisë me partnerë strategjikë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Izraeli, Kroacia Gjermania, Shqipëria etj.
Por fakti që:
– Në Kosovë është instaluar Komanda e Përhershme e Forcave Amerikane për Evropë dhe Afrikë (U.S. Army Europe and Africa HQ);
– Në Kosovë vepron misioni i KFOR-it nën mandatin e Kombeve të Bashkuara, me përbërje shumënacionale dhe kapacitete të larta ndërhyrëse;
– Kosova gëzon një prani të përhershme të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara;
– Së fundmi ka pasur një shtim të konsiderueshëm të pranisë ushtarake britanike në vend;
… përbën një garanci strategjike, të jashtëzakonshme, për paqen, sigurinë dhe qëndrueshmërinë në rajon.
Deklaratat e karakterit alarmist nga përfaqësues të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes duhet të jenë të balancuara, të bazuara në inteligjencë strategjike dhe të kalojnë nëpër filtrin e koordinimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.
Në të kundërt, ato rrezikojnë të minojnë kredibilitetin e shtetit, të dekurajojnë investime ndërkombëtare dhe të krijojnë një ndjenjë të panevojshme paniku te qytetarët.
Kosova ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme, të matur dhe të përkushtuar ndaj aleancës euroatlantike, jo për retorikë emocionale që lë vend për keqkuptime e dyshime ndaj vetë besueshmërisë së partnerëve tanë strategjikë./QendraPress/