“Demokracija” e Lubljanës: “A shkoi Fajon në Prishtinë për të mbuluar Golobin dhe Martin Berishajn”

Gazeta sllovene “Demokracija.si” ka publikuar sot edhe një shkrim që ndërlidhet me kryeministrin slloven, Robert Golob, paratë e GEN-it, transferet e mëdha të parave që dyshohet se u shfrytëzuan edhe për të financuar fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit përmes ambasadorit Martin Berishaj dhe për vizitën që kryediplomatja sllovene, Tanja Fajon ka bërë para pak ditësh në Kosovë dhe Serbi.Siç shkruan kjo gazetë sllovene Robert Golob tashmë është duke shmangur edhe udhëtimet e tij jashtë vendit. Mediumi raporton se kanë dalë edhe disa të dhëna të cilat i japin një vrull të ri kësaj teme. Këtu përmendin edhe hapje të disa llogarive dhe trasnferet e shumta.Në këtë shkrim thuhet se ka edhe regjistrime të kamerave nga banka të ndryshme, përfshirë edhe kamerat e bankës “Raiffeisen” në Rumani më konkretisht në Bukuresht. Golob kishte thënë se kishte hapur një llogari të GEN-it diku në periferi të Rumanisë, megjithatë ka dalë se llogaria është hapur në degën e Raiffeisen në Bukuresht jo shumë larg selisë së kompanisë “GEN”.