Dënimi me tre vite burgim për deputeten e LVV-së – në cilat raste humb mandati sipas rregullores së Kuvendit
Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me tri vite burgim deputeten e Vetëvendosjes, Jetmire Vrenezin, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.Sipas aktakuzës, Vernezi sa ishte inspektore e ndërtimit në Komunën e Prizrenit, së bashku me Islam Thaqin, ish-drejtor i Inspektoratit, kanë rrënuar aneks-objektin e ‘Abi Çarshia’, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim. Kështu dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, është në vlerë prej 69,729.66 euro.Ndërkaq, në rast se dënimi vërtetohet nga shkalla e dytë, deputetja Jetmire Vrenezi e humb mandatin.
Këtë e përcakton Neni 25 i Rregullores së Punës së Kuvendit.
Në nenin 25 pika d, thuhet se humbja e statusit të deputetit është kur dënohet për një vepër penale me burgim për një periudhë kohore prej një (1) e më shumë vjet, ndërkaq në pikën f. të nenit 25 thuhet se humbja e statusit të deputetit bëhet me vendim të formës së prerë të gjykatës nëse është konstatuar mungesa e aftësisë së tij juridike për të vepruar.
Urim Vokshi, avokat i deputetes Vernezi, ka thënë se është i zhgënjyer me vendimin e gjykatës.“Në cilësi të avokatit theksoj se nga shkresat e lëndës dhe provat e administruara rrjedh se nuk janë plotësuar elementet e figurës së veprës penale në këtë rast. E njëjta është dënuar për nxjerrjen e një konkluzioni për rrënim të cilin ka pasur obligim ligjor ta nxjerrë si inspektore e lëndës”, shkroi ai në Facebook.Tutje theksoi se posa ta pranojë vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren të njëjtin do ta atakojmojë mbi bazën e argumenteve të qarta në Gjykatën e Apelit.Ndryshe, Vrenezi është zgjedhur deputete e Legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Kosovës dhe është anëtare në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim./Telegrafi/