Deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi pro qeverisjes me Vetëvendosjen
Deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi thotë se partia e tij nuk duhet të ketë vija të kuqe ndaj Vetëvendosjes.Gashi konsideron se pas zgjedhjeve pse mos të shihet si alternativë qeveria mes VV-së dhe PDK-së.
Në një intervistë për Gazeta Blic, Gashi thotë se VV-së i mungon përvoja në qeverisje e prandaj edhe i duhet një aleat me përvojë që të shtyhen përpara proceset.
Ai thotë se PDK sipas sondazheve është e dyta dhe ka tendencë të rritjes në vazhdimësi.
“Aktualisht, PDK është në një situatë jashtëzakonisht të mirë, pavarësisht goditjes nga shkuarja në Hagë e liderit tonë. Kjo ktheu mobilizimin në struktura, nga hulumtimet e fundit shihet një tendencë e rritjes në vazhdimësi, jemi të dytët politik në vend. Unë si deputet dhe anëtar i PDK-së, mendoj se nuk duhet të kemi vija të kuqe për Vetëvendosjes. Nëse qytetarët i besojnë këtij subjeti dhe del i pari, pse jo të shihen alternativat të ketë qeveri mes Vetëvendosjes e PDK-së, por edhe partive tjera të interesuara për t’i përmbyllur proceset e vendit si anëtarësimi në BE dhe liberalizimi i viazve. VV ka mungesë të përvojës në qeverisje por ka përkrahje qytetare, e mendoj se i duhet një aleat me përvojë dhe natyrisht që do të mund t’i shtynte përpara proceset. Duhet sigurisht besim që mos të krijohen kriza si në proklamimin e Qeverisë së shpresës“, deklaroi Gashi për Gazeta Blic.