Deputetja e VV-së kërkon zgjedhje: Le të jenë referendum kundër presionit ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka komentuar presionin ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që po kundërshtohet dukshëm nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.Duke folur për këtë presion të shtuar, deputetja Kryeziu-Hyseni kërkoi që pse jo të organizohen edhe zgjedhje të reja, si një formë “referendumi popullor” ndaj këtij presioni, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.“Le të jetë një referendum popullor që i përgjigjet gjithë këtij presioni ndërkombëtar karshi themelimit të Asociacionit”, ka thënë ajo në RTV Dukagjini.Ajo shtoi se janë kundër themelimit të Asociacionit, por se nëse duhet themeluar, përgjegjësinë ajo ua kalon atyre që e kanë nënshkruar marrëveshjen.
Deputetja e LVV-së, Arbëresha Kryeziu-Hyseni “Megjithatë dhe nëse ndërkombëtarët apo ambasadorët ndërkombëtar konsiderojnë që kjo marrëveshje tashmë është dashur të zbatohet dhe duhet të zbatohet, besoj që këtë duhej ta bënin me ata që e kanë nënshkruar marrëveshjen”, shtoi ajo.“Sepse duhet të jesh me zero ndjenja kombëtare, me zero ndjenja atdhedashurie, për të thënë që unë e zbatojë marrëveshjën e Asociacionit”, ka theksuar tutje deputetja.Kujtojmë se Ambasada amerikane ka thirrur nesër një takim me përfaqësues nga institucionet e shtetit, partive opozitare dhe të shoqërisë civile për të diskutuar pikërisht lidhur me Asociacionin.Pjesëmarrja në takim, që do mbahet në selinë e Ambasadës në Prishtinë, është konfirmuar nga të gjitha strukturat politike në vend. /Reporteri.net/.