Dëshmitari Hajrush Kurtaj thotë se në luftë është marrë me përgatitjen e ushtarëve për vijën e parë të frontit

                        Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 45-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Hajrush Kurtaj në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë dëshmitar është duke e marrë në pyetje Zyra e Prokurorit të Specializuar e përfaqësuar nga prokurori James Pace. Dëshmitari tha se në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte kyçur me 1 qershor 1998 dhe se ishte në njësitin e Kaçanikut. Në këtë njësit, dëshmitari tha se ishte deri në gusht të po të njëjtit vit.

Pastaj, dëshmitari Kurtaj tha se një person me emrin Agim Bajrami i kërkoi që të angazhohej për t’i përgatitur ushtarët për në vijën e frontit.

“Duke pasur parasysh edukimin tim ushtarak, me angazhoi që të merrem me përgatitjen e ushtarëve në vijën e frontit”, tha dëshmitari.

Ai tha se u emërua nga Agim Bajrami si Zëvendëskomandant për operacione luftarake në vijën e frontit, profesion të cilin sipas tij e ushtroi deri në maj të 1999.

“Kjo ishte detyra ime kyçe që e kam marrë nga Agim Bajrami si zëvendëskomandant për operacione luftarake. Pastaj këtë detyrë e kam vazhdu edhe me urdhër të komandantit të brigadës, Qamil Ilazit.”, tha dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, Qamil Ilazi e ka marrë rolin e komandantit të brigadës pas rënies së Agim Bajramit. Ndryshe, dëshmitari tha se aktualisht është edhe anëtar i kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës në Prishtinë. Me kaq përfundoi seanca e sotme ku në fund të saj filloi dëshmia e këtij dëshmitari, mirëpo kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se ai do të vazhdojë me dëshminë pas 2 javësh. Ndryshe gjatë fillimit të seancës, mbrojtja e Kadri Veselit, Annie O’Reilly kërkoi sqarim nga ZPS-ja lidhur me një dokument nëse do të përdorej për marrjen në pyetje të këtij dëshmitari.

“Iu tham që dokumentin e keni në listën e prezantimeve, ne mund ta bëjmë pyetjet, pyetjet janë relevante sepse kanë të bëjnë me marrëdhëniet që ka pasur me komandantin në shtabin e vetë dhe po ashtu u tham që janë pyetje që mund t’i bëjmë pyetjet ne dhe mund t’i bëjnë kundërpyetjet përkatëse mbrojtja kur t’i vijë momenti. S’është nevoja t’i qojmë kohën dëm këtu në sallën e gjyqit. Ne kemi të drejtë të përdorim dokumentet që kemi hedhur në listën e prezantimeve”, ishte përgjigja e prokurorit Pace.

Mirëpo, avokatja e Veselit insistoi serish nëse do të nxirrej kjo dëshmi apo jo.

“Ne patëm përshtypje, mbështetur në zhvillimet dhe 2-3 javët e fundit se ju donit që të merrej njoftim paraprakë kur kundërshtonim dokumentet që janë në listën e prezantimeve sepse të paktën kjo nuk cenon pyetjet e prokurorisë. Ne bëmë një pyetje të thjeshtë; A doni ta nxjerrni këtë dëshmi. Ne nuk morëm përgjigje në lidhje me këtë dhe i pyetem sërish në mënyrë që të dënimi a do të trajtonim tani këtë aspekt apo jo. Do ishte mirë që ju të na jepni një udhëzim nëse do të trajtohen këto para dëshmisë a po jo”, tha Annie O’Reilly.

Ndërsa, prokurori Pace tha se nuk dihet se si do të zhvillohet dëshmia dhe prandaj nuk e kanë pohuar dhe as mohuar.

“Fakti që nuk u përgjigjëm as me po as me jo është në vartësi të zhvillimit. Nuk e dimë se si do të zhvillohet dëshmia. Ne e kemi hedhur dokumentin në listën e prezantimeve, akoma nuk kemi filluar me pyetjet dhe nuk mund të iu them. Sa u takon linjës së përgjithshme të pyetjeve, pyetjet e përgjithshme kam qëllim që t’i bëjmë”, tha ai.

Ndërsa, Annie O’Reilly tha se kjo dëshmi për të cilën janë duke diskutuar është një raporti i shërbimit sekret për të cilin iu është thënë që është i rëndësishëm për rolin që dëshmitari e ka pasur në UÇK.

“Ky është një raport i shërbimit sekret me 138 dhe na thanë që është i rëndësishëm për rolin që ka pas dëshmitari në UCK dhe kjo është krejtë shtrembëruese dhe do ta kuptoni vetë kur të merrni shënimin përgatitor”, tha O’Reilly.

Ndërsa, Pace tha se mund ta përdorin këtë dokument gjatë marrjes në pyetje këtë dëshmitar.

“Sikur e vutë re, në shënimin përgatitor është një faqe konkrete që i është dhënë dëshmitarit, ka edhe informacionin përkatës atje. Ne mund ta përdorim këtë dokument sepse është njoftuar mbrojtja për këtë qysh në dhjetor dhe nuk ka thënë asgjë për këtë në dhjetor. Nuk kanë thënë që ka kundërshtime për këtë…”, tha Pace.

Ndërsa, Annie O’Reilly pohoi se nuk kanë kundërshtime. Ndërsa, kryetari i trupit gjykues vendosi që vendimi për këtë çështje të merret në fillimin e seancës së ardhshme.

“Unë thash që nuk kemi kundërshtime sepse ju duhej që të kuptoni për rolin që ka pasur në UÇK, tani po e shfrytëzoni për një pistë tjetër”, tha Annie O’Reilly.

Megjithatë, sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë rreth 15 orë. Sipas tij, përfaqësuesit e ZPS-së kanë paraparë 5 orë ndërsa ekipet e mbrojtjes 9 orë e gjysmë për t’i përfunduar pyetjet për këtë dëshmitar.

Dëshmia e këtij dëshmitari filloi pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 44-të të ZPS-së i cili ishte me masa mbrojtëse.