Dëshmitari i rrejshëm në Speciale kishte takuar zyrtarë serbë në Beograd  

                    Dëshmitari i rrejshëm në Gjykatën Speciale, skandalin e të cilit e zbuloi mbrojtja e Kadri Veselit përmes një shkrese të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara, ka rrëfyer se ai ishte nxitur për këto deklarata të rrejshme nga një person, që, sipas shkresës, del të jetë i lidhur me Shërbimin Sekret Serb.Po ashtu, siç zbulohet nga shkresa e mbrojtjes, ky person, në një moment gjatë intervistës në Speciale, kishte përshkruar takimin e tij me zyrtarë të ndryshëm serbë në Beograd.“Transkripti e bën të qartë se (redaktuar) ka një marrëdhënie me Shërbimin Sekret Serb. Në një moment të intervistës, ai informoi Zyrën e Prokurorit të Specializuar rreth planeve të tij për të udhëtuar në Beograd (redaktuar) ku do ta takonte burimin e tij (redaktuar), në mënyrë që të ishte në gjendje të siguronte më shumë përgjigje për Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.

Ky dëshmitar kishte dhënë deklarata të rrejshme në Gjykatën Speciale kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, duke pretenduar se ata ishin përgjegjës për rrjedhjen e dokumenteve për të cilat janë gjykuar dhe dënuar krerët e veteranëve të luftës Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, dhe më pas ka tërhequr deklaratat e tij duke pohuar se ishte nxitur nga një person tjetër që të gënjente.Por, ky rast duket të jetë më i thellë dhe më problematik.Mbrojtja, po ashtu, përmend një rrjet të dëshmitarëve të dërguar në Gjykatën Speciale nga një individ.“(Redaktuar) del të jetë qendra e një rrjeti të dëshmitarëve të cilët ai i kishte ofruar direkt ose indirekt në Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Mbrojtja ka të dhëna për 15 kontakte që (redaktuar) ka pasur me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të cilat datojnë prej (redaktuar) 2017”.“Sipas vlerësimit të mbrojtjes, (redaktuar) ka ngritur pretendime dhe ka dhënë komente për më shumë se 60 individë gjatë bisedave të tij me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Në mënyrë rutinore, ai ka ofruar ose pretenduar ta vë Zyrën e Prokurorit të Specializuar në kontakt me persona relevantë për hetimet”, thuhet në shkresën e mbrojtjes. Dëshmitari që kishte dhënë deklarata të rrejshme, si dhe personi që e kishte nxitur për t’i dhënë ato deklarata, sipas shkresës së mbrojtjes, kishin lidhje me Shërbimin Sekret Serb.Personi që kishte nxitur këtë dëshmitar të trillonte, të cilin mbrojtja e quan “informator”, sipas shkresës, po ashtu kishte pasur kontakte të rregullta dhe direkte me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe me Prokurorin e Specializuar.