DËSHMORI TAHIR LOSHA, I RIU QË LA GJURMË NË HISTORI… Nga Nexhbedin Basha       GAZETAR & POET

Nga Ditari i kujtimeve kur isha mësues në Kacni

Ishte shtator i vitit 1980! U gjenda jo rastësisht por me detyrë si mësues në fshatin Kacni. Në një një vend ku mali dhe heshtja ruajnë kujtime që nuk zbehen, dhe historia është e ngulitur në çdo hap e në çdo gur. Aty më priti një grua me dinjitet të rrallë, fisnike, Shkurte Losha, motra e Tahir Destan Loshës, “Dëshmor i Atdheut”. Nënë Shkurtja me një buzëqeshje të ngrohtë e respekt të thellë më ofroi një kafe të zier me kujdes e dashuri e misra të pjekura; një traditë që fliste për mikpritjen e trashëguar, për shpirtin e butë, por të fortë, të kalitur nga vuajtjet dhe krenaria. Në shtëpinë e saj ndjeva menjëherë se isha mes njerëzve që kishin dhënë shumë për këtë vend, pa kërkuar asgjë në këmbim. Gjatë katër muajve që qëndrova në Kacni, nuk isha më vetëm mësues, por një dëgjues i vëmendshëm i historive që nuk gjenden në libra. Nga Shkurta, nga familja Losha dhe nga banorët e zonës, mësova për jetën dhe rënien heroike të Tahir Destan Loshës – një emër që për shumëkënd është simbol i qëndresës dhe i besnikërisë ndaj idealit të lirisë. “Trashëgimia e familjes Loshaj, nga flamuri i Vlorës te sakrifica e brezave” – Rrëfimi i nipit, Destan Losha – trashëgimtar i  i dëshmorit, një emri me peshë në histori- Nga nipi Destan Losha, që mban me krenari emrin e gjyshit, babait të dëshmorit Tahir Destan Losha, dëgjova një rrëfim të ngarkuar me ndjenja krenarie, dhimbjeje dhe zhgënjimi. “Pema gjenealogjike e familjes sonë, thotë ai, përbëhet nga shtatë fëmijë: Tahiri (dëshmor i Atdheut, që ra në krye të detyrës pa lënë trashëgim), Hasani, Saliu, Rustemi, Nazifja, Fazilja dhe Shkurte (Lica – Ceni). Të shtatë ishin bijtë e Destan Loshës dhe të bashkëshortes së tij, Sibe Losha, të cilët i rritën me sakrifica dhe ndershmëri, duke u përcjellë dashurinë për Atdheun.” – Gjysh Destani, thotë nipi i tij, ka qenë pjesëmarrës i nderuar në ngritjen e flamurit në Shpalljen e Pavarsisë në Vlorë më 1912, nga Ismail Qemali. Xhaxhai im, Tahir Destan Losha ka qenë partizan i palëkundur i Brigadës V Sulmuese, me komandant Shefqet Peçi dhe komisar Hysni Kapo. Si partizan  mori pjesë aktive në kuftë për çlirim nga viti 1940 deri në vitin 1944. Pas çlrimit të vendit për meritat e tij në luftë u caktua me detyrë në organet e ndjekjes, në Postën e Policisë në Iballë Pukë. Gjatë kryerjes së detyrës në përpjekje me bandat e asaj kohe, në Iballë të Pukës, në pranverën e vitit 1948, ai ra heroikisht në krye të detyrës dhe u shpall “Dëshmor i Atdheut” së bashku me kolegun e tij Vasili ,vepra e të cilëve u përjetësua në këngë: Ja disa nga vargjet e asaj kënge: “48, një ditë pranvere/ si gjithmonë edhe kësaj here/ vesh me armë e bombardu/ në Iballë të Pukës për me shku/  me kriminela janë taku/ 12’të numron Vasili/ do të vdesim i thotë Tahiri/ Kur l’shon zonin Tahir Destani/, dridhet toka e tundet mali/, kur kërcet automatiku/, vdes i gjallë nat’ pritë armiku…”. Ai sëbashku me kolegun e tij Vasilin ranë si trimat me pushkën në dorë, në mbrojtje të rendit dhe të idealit të Shqipërisë së re dhe shteti shqiptar i shpalli “Dëshmor të Atdheut”. Emrin e Tahir Losha e mban me krenari shkolla e mesme e përgjithshme “Lunarë”. Trupi i tij prehet I qetë në varrezat e dëshmorëve në qytetin Peshkopi, rrethi Dibër. Dëshmori Tahir Destan Losha lindi në Kacni më 1917., Ai nuk është thjesht një emër në memorial apo mbi një shkollë, por kujtesë e gjallë, frymëzim për brezat e të gjitha asaj zone të “Katër grykëve”, që u rritën dhe edukuan me ndjenjën e dashurisë për Atdheun. Rrëfimi i Destanit nuk u ndal në të kaluarën, i cili u rrit me amanetin e xhaxhait. Por, ai tregoi me zë të përmbajtur një të vërtetë që i rëndon shpirtin: – Në gjurmët e tij kam ecur gjithë jetën. Nuk kam mbajtur pushkë, por kam mbajtur lopatën dhe kazmën. Kam ndërtuar vepra të mëdha kombëtare, hidrocentrale, uzina, rrugë e ura,  si teknik në Fierzë, Koman e Banjë. Kam punuar me ndershmëri e përkushtim, ashtu si do të kishte dashur xhaxhai im. Me ndrimin e sistemit, fëmijët e mi dhe unë kemi marrë rrugët e emigrimit. Me djersën e ballit kemi ndërtuar jetën tonë larg vendit. Dhe rrëfen këtë shorehet: “Pse të mos jetojnë nipërit e mi në Shqipërinë që e deshën të parët tanë,  që na mësuan se guri i rëndë peshon në vend të vet?!” Pse të punojnë për të tjerët, por jo për vendit e tyre, Shqipërinë e dashur?!…jo, jo kjo nuk është mirë. Shteti duhet të ndërtoj politika që fëmijëve të mi e të tjerëve t’u krijohen kundësi të 8nvestojnë në vendin e tyre. Sytë e Destanit ndritën për një çast, pastaj i mbuloi trishtimi: “Si është e mundur që pas gjithë këtyre viteve, as emri i dëshmorit, as djersa jonë, të mos kenë marrë mirënjohjen e denjë dhe shpërblimin e duhur nga shteti? Pse të harrohen familjet që e ngritën këtë vend me gjak dhe krahë pune? A nuk kemi të drejtë të jetojmë me dinjitet në vendin tonë?”. Dhe sa më shumë këto probleme nuk marrin rrugë e zgjidhjes do të rëndojnë më shumë të brezat e rinjë që janë shpresa e këtij vendit, pasi ato dhe fëmijët e tyre kanë lindur në kurbet s’ka pse të rriten e kontribuojnë në vendet e huaja. Pllaka ‘Bazë e LANÇL’: Një kërkesë për drejtësi dhe njohje të sakrificës së harresuar Historia e familjes Losha, një histori e mbushur me luftë, sakrificë dhe nderim, vazhdon të mbetet e pashpërblyer për shumë vite. Kërkesa për marrjen e pllakës “Bazë e LANÇL”, një simbol i angazhimit të tyre në Luftën Nacionalçlirimtare, mbetet ende një kërkesë që nuk ka marrë përgjigjen që meritohet. Pllaka e shënimit, e cila mund të ishte një akt nderimi dhe falënderimi për sakrificën e familjes Losha, është mbajtur ende jashtë vëmendjes, duke mbetur një kërkesë e paplotësuar, një dëmshpërblim që ende nuk ka ardhur, megjithëse ata e meritojnë. Tahir Losha, dëshmori i Atdheut, hero i luftës antifashiste nacionalçlirimtare, u angazhua plotësisht për lirinë e Shqipërisë. Tahiri ra në krye të detyrës pas çlirimit, më 1948, gjatë një përpjekjeje me bandat e armatosura, në Iballë të Pukës. Gjatë luftës, ata ofruan gjithçka, trupat dhe shpirtin, duke e shndërruar shtëpinë e tyre në një bazë të rëndësishme për luftën, një strehë ku luftëtarët e LANÇ-it mund të gjenin mbështetje dhe siguri. Megjithatë, përkundër këtij kontributi të jashtëzakonshëm, ata nuk morën kurrë shpërblimin dhe njohjen që meritojnë, asnjë vlerësim zyrtar për sakrificën që bënë për Atdheun. Pas dekadash, është Destan Losha, nipi i Tahirit, që mbart këtë merak të pandalur, dhe që kërkon ta bëjë të njohur këtë histori të harruar. Ai kërkon të marrë pllakën “Bazë e LANÇL” dhe shpërblimin që i takon çdo familje dëshmori, njohjen dhe vlerësimin e merituar. Në fjalët e tij, ai thekson: “Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se atë që na takon, një nderim dhe një kujtesë të merituar.” Për Destanin, dhe për shumë familje të tjera që kanë kontribuar në luftën për liri, ky shpërblim simbolik është një hap i rëndësishëm për të vlerësuar dhe nderuar heronjtë e historisë, ata që dhanë gjithçka dhe që shpesh janë harruar. Pllaka “Bazë e LANÇL” është një simbol që duhet të kthehet në realitet, për të mundësuar që sakrifica e këtyre individëve të nderohet dhe të mbetet një pjesë e pandashme e kujtesës kolektive të kombit. Ky rrëfim është një pasqyrë e thellë e realitetit shqiptar, ku emri i dëshmorit mbetet në kujtime e fjalë, ndërsa pasardhësit e tij shpesh jetojnë në harresë. Ata kërkojnë atë pllakë, dhe shpërblimin si familje dëshmori, jo vetëm si një memorial, por si një akt të domosdoshëm drejt drejtësisë dhe njohjes për ata që kontribuan për lirinë e Shqipërisë.       23 tetor 2025