Dialogu Kosovë-Serbi, sot pritet takimi ndërmjet shefave të delegacionit
Sot pritet të zhvillohet një takim ndërmjet shefave të delegacioneve, të Kosovës dhe atij të Serbisë në dialogun, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Bruksel.
“Mund të konfirmoj se ekziston ideja që javën e ardhshme të zhvillohet takimi në nivelin e kryenegociatorëve në Bruksel”, ka thënë Stano, teksa nuk ka dashur që të japë detaje tjera rreth atij takimit dhe temave që eventualisht do të mund të diskutoheshin në të.
Stano këtë refuzim për të dhënë detaje e ka arsyetuar me fjalët se “nuk është praktikë që shumë ditë para takimit ta bëjë publike agjendën”.
Kanë kaluar gati tre muaj që kur nuk ka pasur takime në nivelin e lartë në mes Kosovës dhe Serbisë. Kurse në nivel t shefave të delegacionit për dialog takimi i fundit i cili u zhvillua ishte më 29 nëntor në Bruksel , kur palët patën diskutuar për pretendimet financiare dhe pronësore mes tyre.
Në Bashkimin Evropian vazhdojnë të pohojnë se qëllimi i dialogut është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes së cilës do të zgjidheshin të gjitha çështjet e hapura në mes palëve.
Sipas vetë të dërguarit të Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, të gjitha marrëveshjet për temat specifike do të jenë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.
Edhe pse Lajçaku dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrel, kanë pohuar se dialogu po shkon mirë, diplomatët në BE pranojnë se ai është ngadalësuar dukshëm dhe për këtë, shkakun kryesor e shohin te situata e brendshme politike në Kosovë.