Diaspora dhe Atdheu – një trup, një frymë-Shkruan;Gëzim AJGERAJ, shkrimtar me famë ndërkombëtare

Thuhet se secili prej nesh jeton dy atdhe: atë mbi të cilin ecim dhe atë që e mbajmë brenda nesh si një hartë të pashuar, të ngjashme me hartat e vjetra ku detet vizatoheshin me përbindësha dhe gjithçka që nuk njihej mbulohej me mjegull. Ndoshta diaspora është pikërisht kjo: një hartë e dyfishtë, një vend që vazhdon të na kërkojë edhe kur ne jemi larg tij.
Në librin e padukshëm të historisë së Kosovës, diaspora nuk shfaqet si një turmë e shpërndarë, por si një zgjatim i zemrës, një puls që rreh në shtete të huaja, duke krijuar një ritëm të dyfishtë: një rrahje në vendlindje dhe një rrahje në mërgim. Si një krijesë me dy frymëtime, kombi ushqehet edhe nga largësia, edhe nga afërsia.
Ironikisht, ka njerëz që përpiqen të ndajnë atë që vetë koha e ka bashkuar. Politika, me naivitetin e saj ciklik, ngjan me një pasqyrë të thyer që përpiqet të bindë njeriun se nuk është i plotë. Por pasqyra është ajo që thyen realitetin, jo realiteti që thyen pasqyrën. Të krijosh kufij mes “këtu” dhe “aty” është të krijosh një labirint të rremë, ku muret nuk janë prej guri, por prej iluzioni.
Diaspora, që ka kaluar përmes porteve, kufijve, dyshimeve dhe lotëve të heshtur, mban në kujtesë çmimin e lirisë. Është një kujtesë që nuk i përket as partive, as institucioneve; i përket vetëm njeriut – atij njeriu që largohet jo për të harruar, por për të mbijetuar. Largimi bëhet një rit i hidhur, një iniciacion që dhuron një vizion më të kthjellët se ai i atyre që mbeten të ngujuar në ciklin ditor të politikës.
Në një nga universet e shumta që një *filozof e pëlqente të imagjinonte, çdo komb do të ishte një trup i vetëm, dhe çdo njeri një qelizë e atij trupi. Në universin tonë, kjo ide shpesh humbet, zbehet, shkatërrohet nga përçarje artificiale, por mbetet e vërtetë si aksioma e parë e një libri të harruar filozofie: një shoqëri që nuk e njeh vetveten si një e tërë, fillon të shpërbëhet nga brenda.
Prandaj thirrja për maturi nuk është thjesht thirrje politike; është një thirrje metafizike, një rikujtim se trupi i kombit kërkon harmoni, jo dyshim. Politikanët, nëse kanë mendjen e kthjellët, duhet të jenë po aq transparentë sa një qiri: të ndriçojnë errësirat, jo t’i shtojnë ato.
Diaspora nuk kërkon duartrokitje, sepse duartrokitjet janë të përkohshme; kërkon vetëm njohjen e thjeshtë të faktit se identiteti nuk është një adresë, por një pasqyrë e brendshme që nuk thyhet nga largësia.
Kush e ndan diasporën nga atdheu, në fakt ndan veten nga e vërteta, ashtu si ai që përpiqet të ndajë hijen nga njeriu, pa e ditur se hija është pjesa më besnike e tij.
Dhe kështu, në këtë vit 2025, pas gjithë udhëve reale dhe atyre të imagjinuara, mbetet një e vetme e vërtetë:
Kosova i përket të gjithëve, atyre që jetojnë pranë trungut, atyre që ndjekin degët përtej kufijve, dhe atyre që një ditë kthehen te rrënja.
Sepse trupi është i njëjtë, dhe fryma e njëjtë; vetëm ana e pasqyrës ndryshon.
2025/ QendraPress/