Diaspora “infuzion” për ekonominë, këtë vit pritet fluks i shtuar i mërgimtarëve
Diaspora këtë vit do të jetë “infuzion” për ekonominë e Kosovës, thonë njohësit e çështjeve ekonomike, duke shtuar se numri i mërgimtarëve që do të vijnë pritet të jetë i madh, për shkak të pamundësisë për të udhëtuar vitin e kaluar si pasojë e pandemisë COVID-19, transmeton Insajderi.Visari Ymeri, drejtor ekzekutiv në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari”, tha se ndikimi i diasporës në rritjen ekonomike do të jetë i rëndësishëm këtë vit.“Po shohim që edhe në vendet e tjera përgjithësi si vende që janë hap pas tejkalimit të rreziqeve nga pandemia, ka pasur një lloj boom ekonomik dhe mendoj që e njëjta gjë ka me ndodh edhe në Kosovë, edhe për shkak të mërgatës, por edhe për shkak të rritjes së konsumit të brendshëm në përgjithësi”, potencoi Ymeri.Po ashtu Lirim Krasniqi, hulumtues dhe analist i politikave në organizatën “Germin”, organizatë kjo që merret kryesisht me çështje të diasporës, tha se ardhja e diasporës gjatë sezonit të verës do të ndikojë jashtëzakonisht shumë në aspektin ekonomik.“Nga një vlerësim që kemi bërë ne në vitin e kaluar vërehet se ka pasur rreth 1 milion më pak vizitor deri në fund të gushtit, krahasuar me vitin paraprak, dhe duke pasur parasysh që shumica e vizitorëve kanë ardhur nga aeroporti ‘Adem Jashari’, mund të themi se ka pasur ulje të të hyrave gjatë vitit 2020, të cilat pritet të kompensohen këtë vit, ku diaspora është më e gatshme dhe e ka më të lehtë të vijnë gjatë verës, dhe gjithashtu sipas një vlerësimi që kemi bërë ne në skenarin më të mirë të mundshëm, vetëm gjatë sezonit veror ka pasur 200 milionë më pak të hyra për shkak t mungesës së vizitave nga diaspora në vitin 2020, dhe ne besojmë shumë që këtë viti diaspora do ta jap një infuzion ekonomik, duke qenë se shumë sektor varen gjatë sezonin veror nga qarkullimi dhe paraja që vjen nga diaspora përmes vizitave të tyre direkte”, deklaroi ai për EO.
Tutje, Krasniqi tha se institucionet vendore duhet të vazhdojnë praktikën e nisur vitin e kaluar për heqjen e kartonit të gjelbër.Gjithashtu, sipas tij është e rëndësishme që të krijohen lehtësira administrative dhe të krijohet një ambient më i favorshëm për investime nga diaspora.Për 13 vjet, Kosova ka pranuar afër nëntë miliardë euro remitenca. Këto mjete financiare që dërgojnë qytetarët e Kosovës, të cilët jetojnë jashtë vendit, te familjet e tyre.Qeveria e Kosovës në planin qeverisës katërvjeçar ka paraparë që nëpërmjet krijimit të instrumenteve për investim, kapitali i diasporës të kanalizohet në investime që krijojnë vende pune. Ky plan i qeverisë, ka paraparë që nga viti i parë i qeverisjes të emetohen bono thesari, të dedikuara për diasporën.