Dikur i quante kriminelë, Albulena Haxhiu tash dëshiron t’i vizitojë në paraburgim Veselin e Thaçin

                             Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar të mërkurën se do të shkojë në vizitë në Dhomat e Paraburgimit në Hagë t’i vizitojë ish-krerët e UÇK-së. Mirëpo dy nga ta, ish-presidentin, Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin, Kadri Veseli, atëbotë në opozitë, Haxhiu iu referohej edhe me termin “kriminel”.Udhëheqësja e dikasterit të Drejtësisë, përgjatë një konferece sa foli për punën e saj në këtë ministri, paralajmëroi vizitë nën shoqërimin e një anëtari të Komisionit për Legjislacion dhe nënkryetares së Kuvendit, Saranda Bogujevci, shkruan lajmi.net.

“Unë bashkë me Komisionin për Legjislacion dhe nënkryetaren e Kuvendit Saranda Bogujevci kemi planifikuar ta kemi një vizitë në Hagë dhe është e vërtetë që disa prej tyre nuk e kanë pritur Ministrinë e Drejtësisë në vizitë, mirëpo si Ministri e Drejtësisë e kemi për obligim që të bëjmë kërkesa për të gjithë”, ka deklaruar ajo në konferencë.Mirëpo e njëjta, jo më larg se disa vite më parë, iu referohej me terma “kriminelë” dy ish-funksionarëve të Kosovës përgjatë kohës sa Lëvizja Vetëvendosje në opozitë.Përgjatë kohës sa ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ishte pjesë e LVV-së, përgjatë një takimi që pati me ish-presidentin Thaçi, u kritikua ashpër nga atëbotë bashkëpartiakja e Ahmetit, Albulena Haxhiu. Kjo e fundit e quajti Thaçin kriminel, duke kritikuar ish-kreun e Prishtinës pse ia kishte dhënë dorën atij.“Shpendi dukej në siklet në ato fotografi të asaj situate të mbrëmshme. Pra, nuk dukej aspak i kënaqur. Por, mendoj që është dashur ta gjejë forcën e të mos ia japë dorën Thaçit. Ajo përshëndetje e ndihmon Thaçin. Nuk është dashur assesi t’ia shtrijë dorën një krimineli. Thaçi është përgjegjësi kryesor për mjerimin ekonomik, politik e social në Kosovë. Është kriminel e tradhtar”, shkruante Haxhiu në ‘Facebook’, postim ky që tashmë nuk figuron askund në llogarinë e saj.Kriminel tashmë drejtuesja e Drejtësisë iu referohej edhe ish-kryetarit të Kuvendit.“As s’më intereson nëse Kadri Veseli kërkon falje. S’e ndryshon Veselin kërkim falja ndaj meje. Unë s’mundem me e quajt me ndonjë emër tjetër, se ai për mua është kriminel”, thoshte ajo në një intervistë.Ministrja e Drejtësisë pati pretenduar vitin e kaluar se kishte shkuar për në vizitë në Hagë, por se nuk ishte pranuar në takim nga Thaçi e Veseli.