Dinamika psikologjike e shpresës në periudhat e vështira:-Shkruan:Mrs.Nazmije GASHI,psikologe

Në jetën e njeriut, periudhat e vështira shfaqen shpesh në forma të ndryshme: humbje, tronditje emocionale, kriza familjare, sëmundje, zhgënjime apo ndryshime të menjëhershme që na detyrojnë të rimendojmë mënyrën se si jetojmë. Në këto momente, individi përballet me një realitet që lëkund ndjenjën e sigurisë dhe vazhdimësisë. Pyetja që shpesh lind është: si arrin njeriu të vazhdojë përpara, pavarësisht dhimbjes? Pikërisht këtu hyn në lojë shpresa, e cila nuk paraqitet thjesht si emocion por si një proces i brendshëm psikologjik që i mundëson individit të mbijetojë dhe të rindërtojë veten.
Nga këndvështrimi psikologjik, shpresa përkufizohet si aftësia për të imagjinuar një të ardhme më të mirë dhe për të besuar se mund të ndikohet në të. Ajo përbëhet nga tri shtylla kryesore: perceptimi se ndryshimi është i mundur, ndjenja e vetë-drejtimit të brendshëm dhe gatishmëria për të ndërmarrë veprime, qoftë edhe të vogla. Në këtë kuptim, shpresa nuk është pritje pasive, është një proces aktiv, një dinamikë që zhvillohet brenda strukturave emocionale dhe njohëse të njeriut.
Shpresa shpesh aktivizohet më fuqishëm pikërisht në situatat e krizës. Kur themelet e sigurisë lëkunden, mendja kthehet drejt thelbit të vetes dhe individi zbulon mekanizma të brendshëm që më parë mund të kenë qenë të heshtur. Kriza edhe pse e dhimbshme, krijon një hapësirë të re perceptimi: detyron individin të vëzhgojë gjendjen e tij emocionale, të rivlerësojë prioritetet dhe të kuptojë se brenda tij ekziston një kapacitet i pashfrytëzuar për përballje.
Në këto momente, njeriu përballet me një zgjedhje të brendshme. Dhimbja nuk është e zgjedhur por zgjedhim si t’i përgjigjemi asaj. Pikërisht kjo përgjigje e brendshme është baza e dinamikës së shpresës. Edhe një mendim i vogël, një ditë pak më e lehtë, një frymëmarrje më e qetë mund të shënojë fillimin e rikthimit emocional.
Shpresa ka aftësinë të ristrukturojë përvojën e dhimbshme. Ajo zbut skajet e vrazhda të kujtimeve dhe i riorganizon ato në mënyrë që të mos sundojnë më jetën e përditshme por të bëhen pjesë e historisë personale. Njeriu fillon ta mbajë dhimbjen pa u thyer prej saj. Kujtimet mbeten por nuk e pushtojnë më hapësirën e tanishme, brenda individit është aktivizuar një perspektivë e re: bindja se mund të ecë përpara.
E rëndësishme është të kuptohet se shpresa nuk lind nga jashtë. Nuk është produkt i fjalëve të të tjerëve, i rrethanave apo i optimizmit të imponuar. Ajo është një forcë që ngrihet ngadalë brenda njeriut sapo ai fillon të shohë përtej dhimbjes së momentit. Është një proces rritjeje që integron elasticitet emocional, vetëdije, pranueshmëri dhe guxim.
Në thelb, dinamika psikologjike e shpresës nuk premton se gjithçka do të marrë formën që dëshirojmë. Ajo premton se individi ka brenda vetes mjete për t’u ringritur, për të vazhduar dhe për të gjetur kuptime të reja edhe në periudhat më të errëta. Ky është akti themelor i mbijetesës psikologjike: të ndërmarrësh hapin e radhës edhe kur rruga nuk shihet e qartë dhe të besosh se drita mund të rikthehet, qoftë edhe ngadalë./QendraPress/