Dita e Forcës – Kurti e Maqedonci shohin nga afër armatimin e Ushtrisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, panë nga afër automjetet, armatimin, municionin, i cili vazhdimisht po shtohet edhe për nga numri, edhe për nga lloji në Kazermën “Adem Jashari”, me rastin e shënimit të Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kjo vizitë pasoi mbledhjen e 233-të të Qeverisë, e ku para fillimit të saj kryeministri nënshkroi një vendim shumë të rëndësishëm me të cilin është themeluar Komisioni Ndërministror që e udhëheq ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e i cili komision ka për detyrë që të iniciojë procedurat dhe negociatat për Fabrikën për prodhimin e municionit në Republikën tonë, e njëkohësisht edhe për një laborator për dizajnimin e fluturakeve pa pilot.

“Duke i uruar të gjithë qytetarët për Ditën e Forcës, kryeministri Kurti vlerësoi se Forca jonë po forcohet vazhdimisht e me këtë po fuqizohet Republika e Kosovës për çfarë shprehu mirënjohjen e tij të thellë e falënderimin e përzemërt për Ministrinë, për ushtrinë, për udhëheqësit dhe për secilën e secilin që është angazhuar e ka kontribuar”, thuhet në njoftim.

E teksa krahasoi vitet e mëhershme, kryeministri nënvizoi se me qeverisjen tonë kemi dyfishim të numrit të ushtarëve krahasuar me vitin 2021, kemi trefishim të buxhetit për mbrojtje për Ministrinë, kemi katërfishim të trajnimeve jashtë vendit për oficerët, nënoficerët, ushtarakët tanë në përgjithësi, ushtarët tonë posaçërisht dhe kemi shumëfishim të investimit në armatim e në municion.

‘’Armatimi dhe municioni që e shihni në ushtrinë tonë sot, është i blerë prej vendeve që janë anëtare të NATO-s, e këtu duhet theksuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqinë, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kroacinë.’’, u shpreh Kurti, duke i përmendur si më kryesoret por ku nuk mungojnë dhe shtete të tjera, gjersa shtoi se shumica dërmuese, janë blerje nga buxheti i Kosovës, e pjesërisht janë donacion i këtyre vendeve mike, partnere dhe aleate.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se sot është një ditë e veçantë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe se shënimi i 27 Nëntorit si Dita e Forcës është bërë tashmë traditë dhe kjo traditë përkon me aktivitete të mëhershme edhe me trashëgimitë që ne kemi nga lufta çlirimtare por edhe zhvillimet që i kemi si ushtri ndër etapa.

‘’Sot këtë ditë po e shënojmë edhe me një hap shumë të rëndësishëm  në plotësimin e infrastrukturës së mbrojtjes e sigurisë, atë të fillimit të industrisë ushtarake që është një komponent i  rëndësishëm për qëndrueshmërinë shtetërore në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë’’, u shpreh ai