Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare: -Shkruan: Gjeneral Hisen BERISHA.

      A po rrezikohemi nga huazimi i fjalëve universale apo huazimi me përkthim nga sllavishtja? Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, krenohemi me gjuhën shqipe – gjuhën e lashtë të popullit shqiptarë, që përmes saj ka ruajtur identitetin, kulturën dhe historinë ndër shekuj. Gjuha shqipe është jo vetëm mjet komunikimi, por edhe simbol i qëndresës dhe krenarisë kombëtare. E lindur në zemër të Ballkanit dhe e mbijetuar përmes furtunave historike që sollën tre mortaja nga lindja ajo sllave, otomane, dhe serbe, gjuha jonë ka ruajtur shpirtin dhe traditën e popullit tonë që nuk u përkul kurrë. Shqipja është gjuha e Eposit të Kreshnikëve, e Rilindasve që u përpoqën për arsimin dhe kulturën kombëtare, dhe e poetëve e shkrimtarëve që e ngritën në nivele të larta artistike. Shqipja ka kaluar nëpër periudha të vështira, duke u ndaluar e persekutuar, por gjithnjë ka gjetur mënyra për të mbijetuar. Falë guximit të mësuesve të parë, që me abetare të fshehura përçonin dije, dhe falë përpjekjeve të intelektualëve që luftuan për të drejtën e përdorimit të saj, sot gëzojmë një gjuhë të përbashkët. Por, nderimi për gjuhën shqipe nuk duhet të mbetet vetëm një përkujtim në një ditë të vetme. Ajo kërkon përkujdesje të vazhdueshme, pasurim me fjalë të reja dhe mbrojtje nga ndikimet që mund ta dëmtojnë autenticitetin e saj. Prandaj pikërisht në “Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare”, është e domosdoshme të vëmë në pah sfidat dhe rreziqet që po përballon gjuha shqipe me një intenzitet të pa kontrolluar në Shqipëri, por një trajtë naive dhe të pa qëllimt po rrezikohet në variantet e përdorura në Kosovë dhe në trevat e tjera jashtë Shqipërisë Londineze. Një nga rreziqet kryesore lidhet me ndikimet e huaja, veçanërisht ato që kanë lidhje me sllavishten, dhe tendencat për të ndryshuar emërtimet gjuhësore me arsyetime që shpesh lidhen me historinë e luftës, sidomos ndryshimet onomastike të toponimeve në periudhën e pasluftës. Një shembull konkret është përpjekja për t’i ndryshuar emërtimet e armëve të përdorura gjatë luftës. Arma e artilerisë “Mortaja” po tentohet të quhet “minahedhës” në variantin kosovar të shqipes, që është përkthim i drejtpërdrejtë nga emërtimi serb “minobacač”. Ndërkohë, për “granatëhedhësin e krahut” përdoret termi “mortajë krahu” në shqipen kosovare, ndërsa në serbisht njihet si “ručni bacač”. Ky ndikim gjuhësor nuk kufizohet vetëm te emërtimet ushtarake, por prek edhe fjalorin e përditshëm dhe onomastikën, duke shkaktuar varfërim të gjuhës shqipe dhe deformim të identitetit tonë kulturor. Një shembull tjetër është deformimi i fjalës “përzore” në “dritare” si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Fjala “dritare” është huazim i ndërsjellë mes shqipes dhe sllavishtes, ku termi sllav “prozor – kalim i drites” është përshtatur në shqip si “dritare” ose ndoshta e kundërta. Ndërkohë, është lënë në harresë fjala autentike shqipe “përzore”, e cila ka një kuptim të thellë që lidhet me veprimin e daljes në kushte të vështira: “prej zorit – përzore” kur nuk del për dere. Gjithashtu, varfërimi i gjuhës dhe mohimi i lashtësisë së saj si gjuhë më e vjetër në Ballkan dhe Evropë janë të lidhura ngushtë me tendencat për të ndryshuar toponiminë në Kosovë, shpesh në kundërshtim me të dhënat historike dhe onomastike. Gjatë viteve ‘80 dhe ‘90, institucionet jugosllave tentuan të sllavizojnë ose të ndryshojnë emërtimet e shumë vendeve në Kosovë për të forcuar pretendimet territoriale serbe. Kurse kjo pas lufte u bë nga komisione (të përbëra nga zyrtarë jo profesional që u shërbyen me emocionet e pas/luftës) për emërtit të rrugëve, shesheve dhe u ndryshuan shum vendbanime. Për shembull, “Jabllanica” në Gjakovë u përkthye në “Shqiponjë”, nga “Jabllan” që nga serbishtja do të thotë “Shqiponjë”; ndërsa “Dobravoda” e Klinës u bë “Ujmir”. Këto ndryshime jo vetëm që deformojnë historinë dhe kulturën e trevave shqiptare, por edhe sfidojnë autoktoninë e gjuhës shqipe në këtë rajon. Një emërtim onomastik që prek identitetin tonë kombëtar është përdorimi i termit “Kosova”, që sipas disa studimeve lidhet me kuptimin “tokë e manastirëve”. Në fakt, sipas onomastikës dhe historiografisë shqiptare, ky territor njihet që në lashtësi si “Dardani”. Sipas studimeve serbe, termi “Kosovë” lidhet me periudhën e sundimit të Llazarit dhe Milicës dhe përdorimi i tij është përforcuar për të ndikuar në identitetin historik të popullsisë shqiptare. Të gjitha këto shembuj tregojnë se gjuha shqipe dhe identiteti ynë kombëtar janë të rrezikuara jo vetëm nga huazimet universale, që mund ta pasurojnë shqipen dhe lehtësojnë komunikimin ndërgjuhësor, por sidomos nga ndikimet që tentojnë të ndryshojnë thelbin dhe origjinalitetin e saj. Në këtë kontekst, është detyrë e secilit prej nesh që të ruajmë, kultivojmë dhe mbrojmë gjuhën shqipe, sepse ajo është jo vetëm një mjet komunikimi, por edhe një trashëgimi e paçmueshme kulturore dhe historike. Është detyrë e çdo shqiptari që ta ruajë dhe ta përçojë këtë thesar tek brezat që vijnë. Në këtë ditë të veçantë, le të përkushtohemi të gjithë për ta folur pastër, për ta shkruar me korrektësi dhe për ta çmuar thellësisht gjuhën tonë të bukur. Sepse gjuha është shpirti i kombit, është lidhja jonë me të kaluarën dhe ura që na çon drejt së ardhmes. Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare! Gëzuar për gjuhën shqipe, pasuri e paçmueshme e kombit tonë!/QendraPress.com/