Dita ndërkombëtare për parandalimin e abuzimit të fëmijës – 72% e fëmijëve në Kosovë kanë përjetuar disiplinim të dhunshëm

0

Sot shënohet Dita ndërkombëtare për parandalimin e abuzimit të fëmijëve, ndërsa të dhënat nga Raporti i fundit i Anketës së Grupimeve me Tregues të Shumëfishtë – MICS 2020 i përgatitur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe UNICEF, tregojnë se në Kosovë 72% e fëmijëve kanë përjetuar çfarëdo lloji të disiplinimit të dhunshëm.

Kështu thuhet në një njoftim të Qendrës për Arsim e Kosovës (KEC) dhe Qendrës për Studime të Avancuara (FIT), ku me përkrahjen e Bashkimit Evropian në kuadër të Instrumentit Evropian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut – EIDHR, janë duke e zbatuar projektin “Së bashku kundër abuzimit të fëmijës – TACA”.“Ndërkaq, përqindja e fëmijëve nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian që kanë përjetuar ndonjë formë të disiplinimit të dhunshëm është 80%. Për më tepër, 30% të fëmijëve të moshës 1-14 vjeç kanë përjetuar ndëshkim fizik, nga ta 6% kanë përjetuar ndëshkim të rëndë fizik”, thuhet në njoftim.Arsyet dhe faktorët që ndikojnë në përdorimin e formave jo të përshtatshme të disiplinimit janë të shumta.“Një ndër arsyet është mungesa e njohurive për metodat alternative të disiplinimit pozitiv, ndërkaq faktorët e mundshëm që ndikojnë në keqtrajtimin e fëmijëve përfshijnë vështirësinë për të kontrolluar dhe menaxhuar ndjenjat e zemërimit dhe stresin, krizat e shpeshta familjare, mungesa e aftësive prindërore, abuzimi me drogën ose alkoolin etj”.Ndryshe, Dita Ndërkombëtare për Parandalimin e Abuzimit të Fëmijës, e iniciuar nga Fondacioni i Grupit të Samitit Botëror të Grave (WWSF) në vitin 2000, synon të krijojë një kulturë parandalimi të abuzimit të fëmijës në të gjithë botën duke inkurajuar qeveritë, organizatat dhe komunitetin në përgjithësi që të luajnë rol më aktiv në mbrojtjen e fëmijës.Për të përqendruar vëmendjen në këtë dukuri, në këtë ditë organizohen aktivitete për të rritur ndërgjegjësimin për pasojat e abuzimit dhe dhunës ndaj fëmijës dhe masat parandaluese ndaj kësaj dukurie.Me moton ”Së bashku kundër abuzimit të fëmijës”, edhe këtë vit është duke u zhvilluar fushata për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me abuzimin dhe dhunën ndaj fëmijës.Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) dhe Qendra për Studime të Avancuara (FIT) përmes projektit “Së bashku kundër abuzimit të fëmijës – TACA” për të dytin vit radhazi fushatën e filluan duke organizuar debate dhe duke angazhuar fëmijët që përmes artit të krijojnë punime që përçojnë mesazhe kundër abuzimit dhe dhunës.Fushata vazhdon edhe më 20 nëntor duke shënuar Ditën e Konventës për të Drejtat e Fëmijës, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor 1989.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *