Dorëzohet Kurti, nesër e pret në takim Rrahman Jasharajn 
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do ta pres nesër në takim Kryetarin e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, njëherit Kryetarin e Këshillit Grevist të BSPK’së, Rrahman Jasharajn, ani pse para disa ditësh kishte thënë se s’do ta takojë.Se do të ketë takim mes Kurtit me Këshillin Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, drejtues i të cilit është Jasharaj, e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.Kryeziu ka deklaruar se takimi do të mbahet në mëngjes, por s’e ka treguar orën e saktë. “Po, në mëngjes”, ka thënë shkurt Kryeziu.Ndryshe, Kurti në një konferencë për media para dy jave, kishte deklaruar se si kryeministër e takon vetëm kreun e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura (BSPK-së) Atdhe Hykollin, dhe jo liderë sindikal të tjerë ndaras.Kurti kishte thënë se nuk është në rregull që të kapërcehet Hykolli, e të takohet me liderë të degëve sindikale.“Unë kam takuar disa herë kreun e BSPK-së, z.Atdhe Hykollin. Ndërsa ministrat e mi kanë takuar degët sindikale të BSPK-së. Nëse duam shtet duhet të ketë rregullsi. Unë s’dua të kapërcej kreun e BSPK-së e të takojë liderë të degëve sindikale, sepse ashtu ska rregullsi”, kishte deklaruar Kurti.Ai e kishte “goditur” Jasharajn, duke thënë se në të kaluarën liderë të degëve sindikale kishin krijuar lidhje direkte me kryeministra, president e ministra dhe se ishte prishur një rregull i tillë. “Ka ndodhur ashtu në të kaluarën, kur liderë të degëve sindikale kanë krijuar lidhje direkte me politikan, president e ministra dhe e kanë prishur rregullsinë. Unë jam social-demokrat dhe organizimi sindikal është për të drejtat e punëtorëve. Por kërkesat absurde irracionale, që janë më shumë dëshira arbitrare nuk mund të ecin përpara”, kishte thënë kreu i Qeverisë.