Drejtori i AKI-së raporton sot për gjendjen e sigurisë në vend
Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë sot mban mbledhje.
Drejtori i AKI-së pritet të raportojë sot para deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me gjendjen e sigurisë në vend.
Sot poashtu mblidhen edhe 5 komisionet tjera parlamentare.
Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për leje të hidrocentraleve në Kosovës, komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, janë këto komisionet që do të mblidhen sot.
Në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovës që do të mblidhet në ora 09:00 në rend dite ka miratimin e procesverbaleve nga mbledhjet e mbajtura me 23, 26 dhe 27 tetor si dhe plotësimin e listës së dëshmitarëve si dhe planin e punës për periudhën e mbetur.
Kurse në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike që pritet t mbahet në ora 11:00 do të diskutohet lidhur me rekomandimet e dala nga “Raporti për vendin për vitin 2020, i Komisionit Evropian” e ku të ftuar do të jenë ministrat dhe përfaqësuesit e agjencive të pavarura.
Po ashtu në ora 11:00 do të mblidhet edhe Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit leje të hidrocentraleve në Republikën e Kosovës. Anëtaret e këtij komisioni do të intervistojnë dëshmitarët lidhur me lejet e lëshuara për operimin e dy hidrocentraleve nga kompania “Kelkos Energy”.
Në komision për të dëshmuar është ftuar drejtoi i Departamentit të mjedisit dhe ujërave Muhamet Malësiu dhe drejtori i Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, Gani Berisha. Në ora 13 pritet të dëshmojë edhe kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj.
Sot do të mblidhen edhe anëtaret e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Në këtë komision është ftuar edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ku parashihet shqyrtimi i raportit të auditimit për pasqyrat vjetore financiare të vitit 2019 në Ministrinë e Shëndetësisë.