Drejtori i Institutit Sizmologjik të Kosovës jep detaje për tërmetin që dridhi edhe Kosovën
Shemsi Mustafa, drejtor i Institutit Sizmologjik të Kosovës ka dhënë detaje për Reporteri.net për tërmetin në fjalë që dridhi edhe disa qytete në Kosovë.
Mustafa thotë se epiqendra e këtyre tërmeteve ishte në 60 km jug-perëndim të Shkupit, 55 km jug të Prizrenit.
Ai thotë se tërmeti është ndier dukshëm në disa zona të Kosovës.
“Bazuar në Rrjetin Sizmik, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mediterane, si dhe në analizën numerike të Rrjetit Sizmologjik të Kosovës, më 11/11/2020 n’ora 15:25 sipas kohës lokale, Maqedonia është goditur nga nje tërmet me magnitude 4.8 sipas shkallës Rihter, përkatësisht me intensitet VI ballë të Merkalit”, ka thënë Mustafa për Reporteri.net.
Ai thotë se pas tërmetit kanë ndodhur edhe disa pasgoditje.
“Thellësia hipoqendrore ishte 10 km. Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhe pasgoditje me një intensitet më të ulët 1.5-3.0 shkallës Richter. Epiqendra e këtyre tërmeteve ishte në 60 km jug-perëndim të Shkupit, 55 km jug të Prizrenit. Tërmeti në fjalë është ndier dukshëm në të gjitha zonat jugore të Kosovës”, ka thënë Mustafa.