Dritan Abazoviq flet për aferën e Martin Berishajt: Jam i njoftuar për këtë gjë negative, organet kompetente ta thonë të vërtetën
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, është deklaruar për rastin e Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të cilin mediat sllovene raportuan se është përfshirë në një skandal të madh financiar atje.Abazoviq ka thënë se është njoftuar për rastin, por se nuk do ta komentojë, meqenëse, siç ka thënë, s’lidhet me punën e tij si kryeministër.Vetëm ka deklaruar se është gjë negative dhe se institucionet duhet të lejohen ta zbulojnë të vërtetën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.Ai tha se pavarësisht se si do të dalë e vërteta, kjo s’do të ketë asnjë ndikim në raportet mes Kosovës dhe Malit të Zi.“Unë jam i njoftuar po nuk kam qejf me lodh opinonin për këtë çështje, e cila nuk është pjesë e asaj çka duhet me qenë puna e kryeministrit. Mendoj se bahet fjalë për një gjë negative dhe duhna me i leju organet tjera dhe institucionet tjera të shohin çka ishte vërtetë, pra pa marrë parasysh si do ndodhi në fund, kjo nuk ka me pas asnjë ndikim negative në marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës”, ka thënë Abazoviq në “Rubikon” në Klan Kosova.Ndonëse u themelua nga gjysma e dhjetorit të vitit 2016, biznesi në Mal të Zi i ambasadorit të Kosovës në Kroaci në të njëjtin vit rezulton se ka qarkulluar rreth 100 mijë Euro të hyra, derisa viti më i begatshëm për “MB Consulting” me Martin Berishajn të vetmin pronar dhe të vetmin të punësuar, rezulton të jetë viti 2017 kur biznesi i tij regjistroi rreth 1 milionë Euro të hyra.Mbi gjysmë milioni të parave të derdhura në xhirollogaritë e këtij biznesi, sipas një raportimi në Slloveni, kanë hyrë nga Serbia, përmes filalit të GEN-I në Beograd – një rrjet tregtie energjetike nga Sllovenia, i shtrirë në tërë rajonin. Berishaj nuk ka folur nëse edhe pjesa e tjetër e të hyrave kanë të njëjtën prejardhje. /Reporteri.net