“Duam ta bëjmë të qartë se Kosova ka mbështetje ushtarake” – deklaratat e ministrit gjerman Pistorius dhe takimi me Osmanin e Kurtin
Të hënën për vizitë në vendin tonë ishte ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius.
Ministri gjerman gjatë vizitës së tij u takua me presidenten e shtetit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Pas takimit me Osmanin, presidentja dhe ministri Pistorius mbajtën një konferencë për media.
Ministri gjerman, Pistorius: Duam ta bëjmë të qartë se Kosova ka mbështetje ushtarake
“Ne angazhohemi edhe më tej, kontingjentet janë forcuar, varësisht nga situata dhe zhvillimet ne do të vlerësojmë situatën, dhe ne bashkë me KFOR-in do të marrim përsipër, është përkushtim i yni ndaj Kosovës. Duam të bëjmë të qartë se ka mbështetje ushtarake”, tha ai.
Gjithashtu, ministri tha se sa i përket çështjes së ndalimit të dinarit serb, kjo duhet të bëhet në mënyrë të përshtatshme.
“Ne jemi të vetëdijshëm se Kosova ka të drejtë për të zbatuar ligjshmërinë e saj, por në deeskalim bëjnë pjesë edhe masat legjitime sa i përket vendosjes së Euros si valutë të vetme. Pra, kjo duhet të komunikohet në mënyrë të përshtatshme. Këto janë garancionet për siguri dhe këto bëjnë pjesë në dialog”, u shpreh ministri.
Ministri gjerman i Mbrojtjes tha më tej se Gjermania pas SHBA-së është njëra nga mbështetëset më të mëdha të Kosovës, dhe kështu do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen.
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius gjatë vizitës në Prishtinë /Foto: Ridvan Slivova
Pas takimit që pati me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, Pistorius kërkoi që të shmangen tensionet dhe kërkoi de-esklaim të situatës.
“Kërkesa e ditës është deskalimi. E ardhmja e Ballkanit është në Evropë, dhe kjo parasheh si parakusht dialogun. Askush nuk mund dhe nuk duhet të ketë një interes në tensionimin e mëtejmë të situatës. Marrë parasysh tensionet aktuale me Serbinë dhe pakicën serbe në Kosovë bëjmë thirrje të qartë për maturi dhe kujdes”, tha ministri gjerman.
Osmani: Kosova vazhdon ta ketë partner kryesor Gjermaninë
E në konferencën për media është deklaruar edhe e para e shtetit. Osmani para mediave deklaroi se Kosova vazhdon ta ketë partner kryesor Gjermaninë.
“Gjermani ka qëndruar pranë nesh jo vetëm në periudhë të rënda, por edhe në procesin e shtet ndërtimit, përderisa vazhdojmë ta forcojmë demokracinë dhe pozitën tonë ndërkombëtare. Gjermania ka rol kyç në sigurinë e Kosovës. Vendimi për rritjen e trupave ushtarake gjermane në Kosovë është reflektim i qartë i mbështetjes për popullin tonë”, ka thënë Osmani.
Presidentja po ashtu bëri të ditur se me ministrin gjerman kanë folur edhe për bashkëpunim ushtarak.
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Gjithashtu, ajo theksoi se tani është koha që Kosova të jetë pjesë e NATO-s.
“Është koha që Kosova të jetë pjesë e NATO-s, politika shtetërore e Serbisë angazhohet për akte terroriste ndaj Kosovës, kemi nevojë për përkrahjen e Gjermanisë”, tha ajo,
Presidentja gjatë konferencës foli edhe për sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, derisa shprehu shqetësimin se Serbisë ende nuk i është shqiptuar asnjë masë nga Bashkimi Evropian.
Kurti pret ministrin gjerman të Mbrojtjes: Ushtarët dhe oficerët tuaj gëzojnë popullaritet te populli i Kosovës
Kryeministri Albin Kurti, pas takimit me ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, shprehu falënderimin e tij, të popullit dhe shtetit të Kosovës për rolin historik dhe të pazëvendësueshëm të Gjermanisë në gati 25 vitet e fundit.
Ai tha se Gjermania ka pasur rol historik nga çlirimi, te pavarësia e deri në shtetndërtim, dhe ka dhënë ndihmë të vazhdueshme në integrimin evropian dhe euro-atlantik të Kosovës.
“Ai veçoi rolin e ushtarëve dhe oficerëve gjermanë në Kosovë në kuadër të KFOR-it të cilët gëzojnë popullaritet në mesin e qytetarëve që janë mirënjohës për shërbimin e tyre”, njofton Zyra e Kryeministrit.
Më tej kryeministri, shprehu vlerësimin e tij edhe për rolin që Gjermania ka luajtur në forcimin e unitetit evropian përball Rusisë pas agresionit të saj në Ukrainë.
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Nga ana tjetër, siç raporton Zyra e kryeministrit, ministri gjerman i Mbrojtjes, Pistorius falënderoi kryeministrin Kurti për mikpritjen e ngrohtë gjatë kësaj vizite të parë të tij.
“Ai u shpreh i lumtur që ushtarët gjermanë gëzojnë respekt dhe popullaritet në mesin e qytetarëve. Theksoi se Gjermania, së bashku me partnerët e saj në NATO, ka luajtur një rol të rëndësishëm në Kosovë në dekadat e fundit, dhe se ajo është e interesuar që të vazhdojë të japë kontributin e saj në stabilitetin e rajonit, integritetin, sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës”.
Përgjatë bisedës, kryeministri Kurti e njoftoi ministrin Pistorius me rezultatet e qeverisjes, prioritizimin e sigurisë dhe mbrojtjes në buxhetin e vitit 2024 dhe për zhvillimet e fundit në vend.
Bashkë folën për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. /Telegrafi/