Dy delegacione amerikane vijnë në Kosovë gjatë prillit
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se po shqyrton edhe disa vizita në SHBA bashkë me kryeministrin, Albin Kurti. Ajo, gjatë vizitës së sotme në Mitrovicë, tha se dy delegacione nga SHBA-ja do ta vizitojnë Kosovën.“Jemi duke punuar për disa vizita në SHBA, sepse do të bëhen për qëllime të ndryshme. Në disa vizita do të jemi bashkë, në disa do të jemi ndaras. Në momentin që do t’i kemi saktë të gjitha detajet e agjendës, patjetër që do t’iu informojmë. Ajo që është me rëndësi është që bashkëpunimi ynë me SHBA është intensive, është në baza ditore”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani.
Ka shtuar se dy delegacione të rëndësishme amerikane do të vijnë në Kosovë gjatë muajit prill.
“Kosova është i vetmi vend në rajon që presidenti i SHBA-së i është drejtuar me video-mesazh. Me një mesazh të jashtëzakonshëm, ku ka shprehur përkrahjen e plotë ndaj institucioneve të Kosovës, ka folur për krimet ndaj popullit të Kosovës dhe ndaj vuajtjeve që kemi kaluar, dhe ka treguar që SHBA do të mbetet partner i palëkundur i Kosovës, duke konfirmuar në letrën e tij të fundit se Kosova vazhdimisht po tregon lidership global për çështje të rëndësisë globale. Pastaj siç e dini kam pasur telefonatë me zv.preisdenten e SHBA-së, njëkohëisht është i vetmi vend në rajon që zv.pesidentja ka pasur një bisedë substanciale edhe që lidhet me raportet tona. Dhe kemi vizita të vazhdueshme, do të kemi dy delegacione të larta nga SHBA-të gjatë muajit prill”, ka thënë presidentja Osmani.