Dy shtetas të Kosovës dyshohen se tentuan ta fusnin ilegalisht në Shqipëri një të mitur të fshehur në bagazh
Dy shtetas të Kosovës, që të dy 23-vjeçarë janë arrestuar sot nga Policia e Shtetit e Shqipërisë në pikën e kalimit kufitar në Morinë, pasi dyshohen se tentuan ta futnin ilegalisht në Shqipëri, një 17-vjeçare nga Prishtina. Në një njoftim të Policisë shqiptare, është thënë se dy të arrestuarit u kapën në flagrancë duke e fshehur një 17-vjeçare, në bagazhin e automjetit me të cilin udhëtonin, me qëllim që të hynin në Shqipëri në kundërshtim me ligjin. Sipas njoftimit, të arrestuarit po udhëtonin me një veturë të tipit “BMW”, me drejtues shtetasin A.M. dhe pasagjer shtetasin N.K..“Gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhin e këtij automjeti, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur një shtetase 17 vjeçe, banuese në Prishtinë, e cila dyshohet se po ndihmohej nga këta 2 shtetas, për të kaluar kufirin, në kundërshtim me ligjin” – thuhet në njoftim. Tutje u tha se nga verifikimet e zyrtarëve policor ka rezultuar se 17-vjeçarja kishte tentuar edhe më parë të hynte në Shqipëri, por për shkak të moshës, nuk ishte lejuar të hynte e pashoqëruar, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.Në njoftim tregohet dy të arrestuarit dyshohet se kanë kryer veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Policia njoftoi se materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.