E diela e 7 poezive dhe 7 poeteve:Alisa VELAJ
PREJ AKULLI, PREJ ZJARRI
Nuk paska qytetërim më të përkohshëm se ky yti, Tales!
Ujërat e tokës u ftohën sërish edhe këtë herë,
siç ndodhi para fillimit e po ndodh tash përherë.
U akullua e vetmja substancë që ti njeh.
Para syve tanë shtrihet virgjine perandoria e borës.
Nuk ka habi, as kureshtje nuk ka.
Ne jemi mësuar me këtë stinë me po të njëjtin durim
që janë mësuar dhe trungjet e pemëve.
Gjurmët e qytetërimit tënd, Tales,
janë të vetmet që nuk kanë kujtesë.
Vijnë nomadët e qytetërimit të akujve,
lënë gjurmët e tyre papritur në bardhësi,
pastaj, krejt papritur, çdo gjë sikur s’ ka qenë!
Pemët humbin e humbin gjethet
dhe trungjet ruajnë një të blertë të pikëllueshme.
Ata janë fshehtësisht kundër perandorisë.
Thuhet se Herakliti u nis frymëra të ngrohta…
(Bredhat t’ i lëmë mënjanë për një çast.
Ata janë dezertorë të hapur ndaj teje, mik;
përherë me uniformë si ushtarët spartanë.)
Fjalët tona dhe pak do jenë stalaktit.
Trupat tanë vetvetiu do t’u dorëzohen bredhave.
Se ne jemi të përkohshëm si qytetërimet,
ndaj endemi pa dashur nga një perandori në tjetrën.
Lëndorë prej uji dhe zjarri jemi.
As lahemi dot përherë në të njëjtin lumë.
As mundemi dot veçse prej bore.
As durojmë dot vetëm stinë zjarri…
Ne jemi dishepujt më ikanakë në kozmos;
orakuj të qiellit dhe të besimit tonë…
* Talesi dhe Herakliti janë filozofë grekë parasokratikë. Talesi besonte
se bota ishte krijuar vetëm prej një substance, ujit, ndërsa Herakliti
besonte se lënda bazë e gjithësisë qe zjarri