E diela e 7 poezive dhe 7 poetëve:Faruk TASHOLLI

DY SHQIPTARË NË BERLIN

—————————————-

Sot u çova me mëngjes

Një këngë t’re për qef ta qes

Që ta këndojë kush si mundet

Në Fejzbuk kur t’i rrasë hundët!

Hajt një herë, thash, ta nis ditën

Sikur Rrushja kur e rrokë sitën,

Sa lash natën si kthinë të murgut

Rashë kah portat e Brandenburgut

E pyes veten mendjetrazuar:

Je në ëndër a je zgjuar?!

I ke parë a s’i ke parë

Në Berlin bashkë dy shqiptarë?!!!

Dy shqiptarë kryeministra

Që nuk lidhen me shtatë kapistra,

Si pat thënë ai Ibra i ynë

Kur e qiti n’shesh profecinë:

Shqiptarët lidhen këmbë e duar

Veç n’Europën e bashkuar!

Se i djegur ai Fishta i mbarë

Vdiq pa i pa bashkë dy shqiptarë!

Dy shqiptarë në mes Berlinit,

Mbeturinat e Leninit,

A i hodhën me ngjall shpresë

N’valë të Elbës n’valë të Spress-ë?

Më trand prapë zë i Gjergj Fishtës:

Ruaju çun mos dil stërnishtës,

Ti nga ëndrra qenke çu befas

Shqiptarët lu’jnë veç kukumsheftas!

Se kur zbresin ne Ballkan

Atje bjen tjetër tupan,

Shkunden bërryla e shkunden gju’j

Kush kujt s’pari i ngul ku’j!!!