E diela e 7 poezive dhe 7 poeteve;Gerta Bandilli BECKA
Poezia e së dielës…
NUK E DI KU I HUMBA SYTË
———————————————-
E gjatë kjo e përjetshme kohë
pambarimisht duke u tërhequr në rrugë
të panjohura heshtjesh dhe unë
nuk e di ku i humba sytë?!
Ndoshta kur pashë gjakun e plagës së lules
ndoshta kur kokrrat e kripës
i dhanë shije tokës
në stinë të pambarimtë vere
duke djegur plagët e mia të plasaritura.
I hidhur ajri që thith mëngjeseve të zhegut,
prej avujsh goja loton fjalën që lëpihet
e uritur për prekje buzësh që mungojnë
tok me sytë që mbetën mbi trupin e lakuar
të një vajze që lexon trishtuar rimat
e poetëve që dhunuan dashuritë
duke i vendosur në vargje
për t’i bërë të prekshme.
Po unë i humba sytë
ndoshta nga pakujdesia tek nxirrja nga rafti
dosjet e pluhurosura të dëshirës.
Të vështira këto stinë që nuk janë
mundësi zgjedhjesh, qoftë edhe duke rrejtur,
qoftë edhe duke thënë marrinë të vjedhura
nga gojët e të tjerëve dhe duke numëruar
djepe, arkivolë, të qara, humbje dhe pranga
në duart e të dashuruarve.
Po unë i humba sytë!
Mirë pra, i pranova protezat
për të parë botën me sy të tjetërsuar!
./www.qendrapress,com/