E diela e 7 poezive dhe 7 poetëve:Gëzim Ajgeraj

UDHËT

———————-

Shkojnë e vijnë s’ ndalen kryq e tërthor na bien

Në kthesën e parë mos na zënçin në të dytën

Me nga një trastë në dorë plot ëndrrat plot ikjet

Se kush më i pari i zuri e kund s’ u ndalën

Nuk i mban mend kush nëse ato erdhën e na gjetën

A në mos ne anatemuam veten në gozhdën e mallkimit

Etjen peng në të zënçin shkretuar t’ i kanë vatrat

Shteruar kanë fushat, sheshet e qytetet

Mjerë kush i ndoqi e i mori e zuri n’ thuan e mallkimit

Harrimi mbeti peng i pritjes te pragu i portës

Malli u bë largësi e s’ u panë më

Mbetëm në udhëkryqin e tyre e s’ u kthyem më