E diela e 7 poezive dhe 7 poeteve:Rajmonda Shyta KOLOVANI
·
Shi, sot shi na do shpirti.
————————————
Të mirnim çadrat harruam,
Xhaketën e vesha për fresk,
Një varkë vështronim, lodruar,
Një rrjetë, po hidhej për peshk.
Dhe ditën tonë kujtuam,
Kur rrjetën ja hodha asaj,
Si dikur me mall përqafuar,
Shtrënguar pas vetes e mbaj.
Shirat e vjeshtës pikëluan,
Dhe befas, rrodhën rrëke,
Të dy nëpër shi vrapuam,
Dikush, seç qeshi me ne.
Ja hodha mbi supe xhaketën,
Të qullur qeshnim me zë,
Në trup e ndjenim të nxehtën,
Mes shiut, e putha atë.
Një benx, kaloi nxituar,
Spërkatur na qulli , dhe më,
E kapa prapë vashën nga duart
Vrapuam, prapë qeshnim me zë.
Gjithë retë, u grisën prej qiellit,
Harbuar, prej dore e mbaj,
Një reze e shndritshme nga djelli,
Rrëshqet, si shikimi i saj.
Gjithshka merr frymë lirisht,
Dhe qielli kthjellohet, si qelq,
Të qullur përqafohemi sërish,
Veç shi, shi sot shpirti na desh…
17/9/2022 Rajmonda Shyta Kolvani