E diela e 7 poezive dhe 7 poeteve:Teuta BIÇAKU
Jam hënë
———————————
Kur “u gatua” Universi i paanë,
mes shpërthimesh ku rrëzëllitën miliona diej,
u shfaqën meteorë, asteroidë, pluhur, kometa,
satelitë e planetë të vegjël e të mëdhenj.
Një vend i vogël m’u dha në hapësirë,
një trajektore e përcaktuar rreth planetit “mëmë”,
e vogël, e brishtë, plot kratere dhimbjesh,
nuk e lashë veten në hije, mora emrin Hënë.
Në netët e errëta, të zymta plot hije,
aty ku drita nuk feks, nuk depërton,
dritë marr nga diejt e vesh në fytyrë
mes errësirës dritën e tyre pasqyroj.
Si drapër, gjysmërreth, a fytyrëplotë,
aq dritë sa marr e ndaj në qiell.
Të marrë dritë nga unë kush ka nevojë,
jam Hënë, se ndoshta s’mund të jem diell.
Teuta Biçaku maj 2022