E diela me penën e artë prizrenase;Gëzim Ajgeraj
PRITJE
Kopshteve të shkrumbuara të mallit
I mbollëm pritjet
Se mos na i djeg harrimi
Kthimet e vonuara
Ç’t’i japim ballit plot zjarrmi
Këtij moti pandemik
Shpresat mbetën lëvjerrë
Ylbereve të kthimeve
Vetëm malli iku përtej nesh
Të harruar
Dhe bileta e djegur në xhep
Nga vendimet e politikës
Nuk e dimë se cilin numër
të matematikës mbajmë
E kush e ka urdhrin
Të na e vërë x-in mbi shpinë
Kësaj zallahie
Ku njeriu mbi këtë topth
Ka mbetur vetëm numër shifror
Në kopshtin e pritjes
Assesi s’po mbinë shpresa e kthimeve
U thanë edhe ëndrrat
Kësaj hapësire pandemike
Me pritjen mbetëm peng
Diku në Alpe
2020