E diela poetike me penën e artë të shkrimtarit;Gëzim Ajgeraj
DITË PA KOSOVË
———————————
Err e terr bredh mungesës
vaj dita pa ty
Në Dardani e Ulpianë zbrita
e në fllad të Vërrinit
Për një sy gjumë
Ndër gurra pimë ujë kaçakçe
I kënduam lirisë
Një tufë lule dëshmorëve
Vaj për ditën
që na zhuriti largësive
Dita pa Kosovë
Janar 2001
& & &
KOHA S’NA PRET!
__________________________
Dikush mendon se do jetoj njëmijë vjet
Nuk gjeti kohë asnjëherë në tri dekada
Harron i gjori se e kemi vetëm një jetë
Ti qajmë hallet e ti ndërrojmë nja dy llafe të përmallta
Shkojnë e vijnë motet si uji nën lum
Dhe mosha ikën e plakemi çdo herë
Harrojnë miqtë gjithnjë e më shumë
Se s`do të takoheshim në ndonjë botë tjetër asnjëherë
Dhe ikin miqtë e treten diku në heshtje
Dhe neve përsëri na marrin udhët e mërgimit
Dhe shpresën e lëvjerrim diku përlotë me kureshtje
Për ndoshta hera tjera kur të digjen përmallimit
Dhe thinjat e moshës bien një nga një
E neve mbytemi udhëve të përmallimit
Dhe miqtë, dhe ata ikin pa bë zë
Nga kjo botë, shpesh dhe pa lamtumirën e harrimit
Dhe prapë dikush mendon se ka jetë njëmijëvjetë
E për mikun e ka lënë në një shekull tjetër
Thinjat kanë zbritur dhe koha sna pret
Takoje, çmallu dhe njëherë, me mikun e vjetër
Prizren, 2019