E diela poetike me poeten;-Barie ÇUPI
E vërteta mendjemprehtë
——————————-
Çdoherë ajrin padukshëm bymuar,
pendëshqyer,komanduar,
e lëkunden sa majtas,djathtas,
të hutuar,
përkulen e ulen degëve,
disa thyhen e disa sërish shpërthejnë,
foleprishur i lejnë
mbulesash të përhimëta resh,
ngrehinash e muresh,
me vrima e të çara për mes,
ligjërojnë lartësish e sublimesh të lashta,
zogjt’me sy si gucka të akullta.
…ndërsa kuisin hartash zagarët,
në erën e tyre përdhosur,
të dalë kolibesh,
dhëmbësh të rëna,
frikërash e inatesh marrosur,
…dy botë veçmas,errësirash trilluar,
shumëfjalësh e fasadash ndërtuar,
shumëformësh e shumëskenash të përlotura,
ca guhasin e përplasen gramafonësh,
e ca në shenjë demonstrimi,
puthen duarsh të ndotura.
…si në trungje të prera,historitë digjen e përflaken,
e djeshmja,rënie e sinjalizuar
dramash e filmash me aktorë sinkronizuar,
ca nuk dinë si filloi,tekstesh formatuar,
ca në mpiksje detërash,
ca nën hundën e të keqit,
shumëkush varur fatit,
e tjerë ikur dreqit.
…ca kombe barkfryrë,
e ca kërthizën të sheshtë,
ca tjerë mërgatash,shitur e blerë,
lëkurë nxirë e lëkurëverdhë,
ca buzësh mpirë e ca gjuhën prerë.
Ku kokë pa qafë,apo qafë pa kokë,
foltoresh kush e kush,të shkisë ndonjë qokë,
shqipja me dy koka,me një trup sa një lis,
kobshëm e poteresh,
qiellit përtypet,
lot e qesh në kompromis,
shalon mendimesh,të zbusë ashpërsinë,
në vena ka forcën,dritën e lirinë,
e sotmja me plisin e bardhë bërtet,
në eshtra stërgjyshërish
ku ka hisen e vet,
e vërteta kohës i del mendjemprehtë,
ku tërheq një çoban,do gjindet dhe një shteg,
ku ka një sofër,besa mbyll çdo vragë,
kush shkundet e ndahet,
ngel’ushqim për të m’dhatë.
/www.qendrapress,com/