E diela poetike me poeten;-Zhaneta BARXHAJ
Anija Liburne ka ikur
——————————
U kthye anija Liburne,
një buzë mbrëmje të shuar.
Kapsallita sytë e fryra.
Nuk e besova.
A ish ajo?!
Ajo ishte.
Shkiste mbi valë pa ankorim.
Valëviste flamuj pa figurë.
Shkëlqente sërisht padyshim,
e diç’ nxorri prej barkut.
Lëvizi si hije gjësendi,
u drejtua kah meje përtueshëm.
I dola para.
E prita,
me buzagazin e mallit në duar.
Më qeshi.
Kokën i mbështeta në sup.
Ah! Sa pashë e dëgjova aty,
Dhe lotët më rrodhën çurk.
Më përkëdheli flokët.
Më fshiu lotët e valë.
– Vetëm për ty erdha,- më tha.
E di që në ëndrra më mban.
– Tani do iki,- më qeshi sërish.
Ti mos u mërzit.
Unë molin se kam më këtu,
u thá, u shqye , u shit …
Dhe iku anija Liburne.
Shkretëtira mbuloi këto anë.
Rrimë dhe mendojmë të hutuar,
Kush na shiti kaq lirë vallë?!
/www.qendrapress,com/