E diela poetike me poeten;Dea Basha
Përndjekësit e padukshëm (Shkrim origjinal)
———————
Para se largimi im të zbehë sytë që djegin shpirtra,
e të shqetësoj mendimi se përqafova vetminë,
ty po ta besoj të ëmblën fshehtësi.
Kështu ndoshta do të vraposh aq shpejt,
sa tokës do t’i lësh shenja me fortësinë e hapit.
Trazirë mendimesh ke për të mirëpritur,
në boshllëqet e trurit të pavlerë.
Ndërsa yjet tashmë kanë vdekur,
asnjë diell s’do ketë kurajo të shfaqë veten.
Askush nuk e do dritën.
Askush nuk e do ngjyrën e artë.
Rrezet e ngrohta ngjallin urrejtje
sepse ngjyrat nuk i takojnë më botës.
Tmerr i jetuar në zgjuarsi të plotë,
vetëm për ithtarët e së bukurës,
asaj që iu bën vartës duke hamendësuar,
se me të vërtetë aty qëndronte hijeshia.
Por tash ky tmerr si do të jetë?
Për krijesat e refuzuara të errësirës,
në të cilën gjetën prehje pas dëbimit,
nga gjiri i mendjendriturve të vetëshpallur.
Kjo është pra fshehtësia e ëmbël,
arsyeja pse sot largimi im sytë do t’i zbeh.
Ata sy që etshëm dogjën mijëra shpirtra.
Kur shtegun e sakrificës do ta kaloj,
mua do më bekoj verbëria.
Pas natës do të vijë nata,
e do të bëjmë dashuri me aromën e shkrumbit,
që buron nga pastërtia e esencës së djegur.
Kush i vë flakën ëndrrës plot jetë,
shpëtimin do ta gjejë tek makthi përtej mureve.
Ashtu si ne që braktisëm trupat,
për t’u bashkuar përjetësisht me botën e hijeve.