E diela poetike me poeten;Nurije Baduni
SPEKTRI I SHPIRTIT
———————————
Nuk më step pasqyra e praruar,
Kur para saj sytë duan të prehen.
Ca tipare të ëmbla shfaqen aty,
E ndjesitë nisin e dëfrehen…
Prek ca thinja ngyrosur tashmë,
E jeta mbrapsht më rikthehet,
Më pëshpërisin kohët me tallaze,
Por…uni nuk rrëmbehet…
Një rrudhë e thelluar aty në një cep,
Mijëra mendime sjellin e ngrijnë,
Vë buzên në gaz e lehtas ju flas,
E sërish ato fëshfërijnë.
Ca pikla me tjetër pigment në faqe,
Më ngacmojnë në pikat e dobta,
Dëshmi e jetës së ashpër në vite,
Që nuk i lakmova.
Fazat dhe jeta ecin krah për krah,
Starti me finishin rrjedhë filmike krijon,
Jeta do më rrudhë e formojë brazda,
Po spektri i shpirtit më rinon.
N. Baduni 13.03.2022