E diela poetike me poeten:Rudina Muharremi Beja
Dehje
————————-
Vështrimi saj i dehur, si të kishte pirë gota pa fund me verë e merrte përdore si një Beatriçe dhe e shëtiste asaj rrjedhe që i bashkëngjitej trazimit të gjakut në vena.
Nuk i dha kohë të fliste, sepse çdo fjalë e thënë do të ishte e kotë, por mbështeti kokën në gjoksin e tij dhe mori frymë thellë për ta puthur më pas mbi qepalla.
Ai ndiqte me vëmendje brishtësinë e veprimeve të saj, e tërësisht i etur prej atij vezullimi i pëshpëriti:
-Të kujtohen kohët, kur sa herë të bëja pyetje nën atë çati gjysmë të shembur, ti më përgjigjeshe me puthje?
-Si jo – dhe mbylli pak qerpikët ajo.
– Unë të dua shumë!!!
Ajo ndjeu ëmbëlsinë e fjalëve dhe përkëdhelej më shumë pas tij.
I mbërtheu dorën e unazës pa mundur të mbante një lot gëzimi që u ndal buzës.
Shikimin përhumb në një endje hetuese, që shembte trajta qiejsh mbi të magjepshmen dashuri!