E diela poetike me poeten:Shqipe Bytyçi
A BIJM‘ SONTE
A bijm‘ sonte, motër
poshtë kambëve të ahut
asht mbramje e mirë sonte
bashkë me diellin me ra
E di, lisi ka nji andërr
ma tha n’vesh mbramë
kur m’puthi prajshëm n’ballë
e frikēn ma mposhti
frikën e mortit
frikën e sopatave t’zeza
e të gurëve t’mexhes që territ rrotullohen
A bijm‘
bashkë me diellin, motër
E ftohtë vje nata
n‘déj s’ka jetë ma
jam lodhë ngricave çdo natë
droj piki midis terri
tue prit diellin me le
pa pá dritën
si përdridhet mishit terrtë
pa pá njat shpresën e rrebelueme
që dimnon gjoksit ahut
e n’sy pranvere, din krye me que
bijm‘ sonte, motër…
ShB, nëntor 2020