E diela poetike me poetin ;Arben RASHKAJ

0

DO TË VIJA

Ani pse mund të mos kisha lindur

në asnjërën nga kohët e gjalljes,

nuk do ta njihja bukurinë e mëngjesit.

Aromën e luleve të njomura me vesën e tij

nuk do e ndieja.

Mund të mos isha askund

në projektet e zotit për të lindur

S’do ta shijoja plotëkuptimësinë e lotëve,

buzëqeshjen e fëmijës

në harenë bredhëse pas fluturave,

s’do ta përjetoja…

Edhe më tej mund të mos lindja

për ta parë

përplasjen e një gjethe vjeshte,

sa andej e këndej

e shtyrë nga era e fortë.

Ta përjetoja drithërimën deri në palcë

rrugës tek do ecja strukurazi.

Është krejt e mundur

të mos lindja fare

Në njërën nga epokat e njeriut,

për t’i njohur çmenduritë e tij.

Të neveritem deri në gërditje!

Pavarësisht kësaj të jetoja.

Edhe sikur vërtet

të mos kisha lindur,

diku nga thellësitë e asgjësë

do të përpëlitesha,

për të ardhur në vendin tim të lënë bosh

Nga se besoj tek mirësia brenda njeriut

Besoj në lumturinë e tij Për këtë do të vija në këtë botë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *